Alonso: Nuk do të ketë tripletë për Vettel

10/10/2011 16:25

Një ditë pasi Sebastian Vettel fitoi titullin e dytë kampion bote në Formula 1, piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, lëshon sfidën për në sezonin e ardhshëm.

”Nuk ndiej asgjë të veçantë, pasi titulli për Vettel ishte diçka që pritej prej kohësh. Tani mbetet të shohim se kush do të jetë kampioni i trefishtë më i ri i historisë midis meje dhe tij. Le të shohim, por unë do të vija bast për veten”, u shpreh spanjolli në një intervistë të dhënë për të përditshmen iberike “Marca”.

Pavarësisht rivalitetit të ndezur, Alonso nuk e neglizhon mirësjelljen. Ai ishte i pari që e uroi brenda në pistë dhe gjithashtu nuk harroi të thonte fjalë të zgjedhura për gjermanin edhe gjatë konferencës për shtyp që pasoi garën e së dielës, të zhvilluar në Japoni.

”Është e pamohueshme që Vettel ka bërë një kampionat të mrekullueshëm dhe që e ka merituar plotësisht këtë titull kampion”, theksoi Alonso. Në të njëjtën linjë edhe piloti i McLaren, Button. “Për mua është e çuditshme ndjesia që kam, pasi jam i trishtuar edhe pse fitova garën. Megjithatë, Vettel kishte kohë që e meritonte këtë titull”, fjalët e anglezit.

Top Channel