Situata në veri të Kosovës është e qetë dhe deri tani nuk është
regjistruar ndonjë incident që do të cënonte rendin dhe sigurinë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Duke folur për zjarrvëniet e qëllimshme të dy automjeteve, Hoti ka saktësuar se këto raste kanë të bëjnë me larje hesapesh mes personave të caktuar dhe jo me situatën në veri.

“Këto dy incidente nuk kanë ndikuar në aspektin e sigurisë. Ato nuk kanë lënë asnjë gjurmë në sigurinë e përgjithshme”, ka deklaruar Hoti.

Ndërsa përsa i përket barrikadave serbe, zëdhënësi kë nënvizuar se policia kosovare ia ka lënë cështjen në dorë KFOR-it dhe EULEX-it.

KFOR: Barrikadat të largohen me dialog

Nga ana tjetër, zëdhënësi i KFOR-it, Frank Martin ka deklaruar se lëvizja e barrikadave varet nga ecuria e dilogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Aktualisht të gjitha portat janë të qeta dhe nuk është regjistruar ndonjë problem. Shpresojmë se nga ana tjetër do t’i largojnë barrikadat. Diskutimet në aspektin politik po vazhdojnë dhe ne jemi duke monitoruar situatën”, ka deklaruar Martin.

Negociatori serb në veri të Kosovës

Ndërkohë, shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanovic dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic kanë mbërritur në veri të Kosovës.

Mësohet se gjatë pasdites ata do të takohen me krerët e strukturave paralele, me të cilët do të bisedojnë për zgjidhjen e cështjes së pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

Për momentin nuk dihet nëse dy zyrtarët serbë kanë kërkuar leje për të hyrë në Kosovë, edhe pse në të kaluarën ata kanë depërtuar në territorin kosovar pa një të tillë.

Top Channel