Shqipëria mbyll eliminatoret me barazim

11/10/2011 22:00

Tifozët shqiptarë kanë dalë haptazi kundër kombëtares kuqezi, e cila i mbylli eleminatoret e Euro 2012 me një barazim 1-1 me Rumaninë në “Qemal Stafa”.

Goli i rumunëve i shënuar në pjesën e dytë i acaroi tifozët të cilët filluan të hidhnin fishekzjarre në fushë.

Gjyqtari i ndeshjes e ndërpreu për 2 minuta ndeshjen, aq kohë sa iu desh policisë shqiptare të merrte situatën nën kontroll.

Edhe pse para ndeshjes dëshira e lojtarëve ishte e madhe, sërish nuk kemi mundur të fitojmë. Përfaqësuesja kuqezi barazoi 1-1 me Rumaninë, një ndeshje që për rumunët nuk kishte asnjë rëndësi.

Edhe pse kundërshtari ishte shumë më lartë se skuadra jonë, ishim ne që kaluam të parët në avantazh. Salihi i harruar nga mbrojtja dërgoi topin në rrjetë në minutën e 24. Shkodrani dhe lojtarët e tjerë e kanë festuar golin me trajnerin Kuzhe, për të cilin mesa duket kjo do të jetë ndeshja e fundit në krye të kombëtares shqiptare.

Rumunët dominuan dhe rrezikuan edhe në pjesën e dytë, por goli i barazimit u shënua në minutën e 77 nga Luchin.

Kështu Shqipëria i mbylli në vendin e 5 eleminatoret e Euro 2012, duke mos arritur të bëjë hapin e madh, lënien poshtë të dy skuadrave në grup.

Top Channel