Ranieri: Kthimi i Eto’o-së është fantazi

15/10/2011 00:00

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, përjashtoi kategorikisht çdo
mundësi të rikthimit të Samuel Eto’o-së, gjatë periudhës së ndërprerjes
së kampionatit rus në dimër.

”Nuk mund të flas për fantazira. Unë mendoj për futbollistët që kam në skuadër dhe jo për plane fantastiko-shkencore. Kam shumë sulmues të tjerë të mirë në skuadër dhe kam besim të plotë tek ta”, u përgjigj Ranieri.

I transferuar për një shumë rekord në skuadrën çeçene të Anzhit, Eto’o duket se do të ishte i gatshëm të rikthehej në Serinë A për dy muajt janar-shkurt, duke bërë të njëjtën zgjidhje që ka gjetur Beckham, kur luante me Milanin gjatë ndërprerjes së kampionatit amerikan.

Trajneri i zikaltërve iu përgjigj edhe kritikave të paraardhësit të tij Rafa Benitez, i cili fajësoi mungesën e dialogut midis mjekëve dhe futbollistëve për dëmtimet e shumta që ndodhën gjatë udhëheqjes së tij.

”Deklarata të tilla më befasojnë, pasi unë jetoj dhe punoj brenda këtij klubi dhe e di shumë mirë që funksionon ndryshe. Ai është një njeri që ka qëndruar këtu pak kohë, por unë dhe lojtarët e mendojmë ndryshe mbi këtë pikë”.

Top Channel