Pavarësisht kërkesës së EULEX-it dhe KFOR-it, që serbët lokalë t’i
largojnë barrikadat e vendosura në veri të vendit ato ende vazhdojnë të
jenë të pranishme.

Autoritetet e rendit në Mitrovicë, thonë së deri më tani nuk kanë parë asnje akt qe tregon se serbët do të kryejnë vetë zhbllokimin e rrugëve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha për Radion Evropa e Lirë, se “serbët nuk kanë larguar barrikadat, madje ata po bllokojnë edhe një nga rrugët e veriut”.

Ndërkohë komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Erhard Drews takon përfaqësuesit e serbëve nga Mitrovica e veriut, Zveçani, Zubin Potokut dhe Leposavici.

“Komandanti i KFOR-it kërkon largimin e barrikadave me qëllim që njerëzit, shërbimet emergjente, EULEX-i dhe KFOR-it të munden të lëvizin lirshëm në të dyja akset rrugore, për në Jarinjë dhe Bërnjak”, thuhet në njoftimin e policisë.

KFOR: Asnjë ultimatum për barrikadat

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it nuk u kanë dhënë serbëve të veriut të Kosovës asnjë ultimatum apo afat për heqjen e barrikadave, me të cilat kanë bllokuar rrugët.

Zëdhënësi i KFOR-it, Frenk Martin, i tha Radios Evropa e Lirë se, megjithatë, është e rëndësishme që të mundësohet lëvizja e lirë, çfarë “është e rëndësishme edhe për forcat paqeruajtëse”.

“Po shpresojmë se do të kemi sukses për të gjetur zgjidhje gjatë ditëve në vijim, por nuk kemi dhënë ultimatume dhe nuk kemi përcaktuar afate”, tha Martin.

Sipas tij, në rast se serbët refuzojnë të heqin barrikadat, aksionet e KFOR-it lidhur me këtë çështje do të varen nga vendimet e misionit EULEX.

Zëdhënësi i këtij misioni, Nikolas Hatën, tha se pozicioni i EULEX-it mbetet i pandryshuar dhe se të gjitha opsionet e mundshme janë të hapura edhe më tutje.

“U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve që kanë vënë barrikadat, t’i heqin ato, sepse kjo është në të mirën e gjithë bashkësisë. Nga to më së shumti pëson popullata lokale. Vendkalimet 1 dhe 31 janë të hapura, por rrugët ende janë të bllokuara. Sa i përket së ardhmes, unë nuk dua të spekuloj. Të gjitha opsionet edhe më tutje vazhdojnë të mbeten të hapura”, tha Hatën.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës thonë se KFOR-i e ka të njohur qëndrimin e serbëve të veriut, i cili mbetet i pandryshuar.

Kërstimir Pantic, lider i serbëve të veriut të Mitrovicës, tha se mënyra se si do të sillen qytetarët serbë, do të varet nga veprimet e KFOR-it, EULEX-it dhe të Qeverisë së Kosovës.

Top Channel