Kupa e Shqipërisë, luhen ndeshjet e para në grupe

19/10/2011 17:05

U luajtën sot ndeshjet e para në grupe për Kupën e Shqipërisë, ndërsa rezultatet prodhuan pak surpriza, me pothuajse të gjithë të mëdhatë që arritën të fitojnë.

Tirana, fituesja në fuqi, nisi mbrojtjen e kurorës së saj me një sukses 3-1 përballë peqinasve të Shkumbinit, në një ndeshje të luajtur në kryeqytet. Vllaznia, në transfertë, arriti të fitonte 4-2 në fushën e Elbasanit, një prej tre skuadrave të Kategorisë së Parë që kanë arritur të kualifikohen midis 16 më të mirave.

Kamza shkaktoi surprizën e vërtetë të ditës, me një fitore përballë Flamurtarit, ndërsa Teuta u ndal në “Niko Dovana” në barazim pa gola, prej një Pogradeci luftarak.

Në ndeshjen e tjera, Skëndërbeu arriti një fitore minimale ndaj Besës në Kavajë, Bylisi mposhti Dinamon në Ballsh, Kastrioti mundi 4-1 gjirokastritët në Krujë, ndërsa Laçi doli fitues nga Fieri, duke mundur 3-1 Apoloninë.

Për herë të parë në këtë sezon, Kupa e Shqipërisë nuk luhet me një format të bazuar mbi eliminimin direkt. Të 16 skuadrat e mbetura pas fazës së parë, janë ndarë në katër grupe.

Top Channel