Sequi: Axhenda dixhitale, me rëndësi për KE-në

07/11/2011 00:00

Ambasadori i Bashkimit Evropian Ettore Sequi deklaroi se axhenda dixhitale është me rëndësi për Komisionin Evropian.

Këtë deklaratë ambasadori e dha në Konferencën për Teknologjinë Dixhitale që u organizua të hënën në Tiranë.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha, i cili theksoi se teknologjia dixhitale bën të mundur që të kapet koha e humbur, si dhe të ofrohen për qytetarët shërbime më të mira.

“Teknologjia dixhitale është e rëndësishme për të vendosur gjithashtu në themel të veprimtarisë sonë transparencës si kusht i të gjitha kushteve për një qeverisje të mirë. Vendet tona janë që të gjitha të detyruar të rendin në orbitën e globalizmit dhe në këtë kontekst teknologjia dixhitale është jetike në mënyrë që të ecim së bashku me tik takun e orës globale” ka theksuar Berisha.

Më tej kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria ofron një eksperiencë ndër më uniket në Europë dhe botë dhe unikaliteti i saj qëndron në faktin e hidhur që në vitin 2005 niveli i perimetrimit të IST ishte nga më të ultit në botë.
 

Top Channel