Berlusconi: Pasardhësi im është Alfano

09/11/2011 00:00

Kryeministri në largim i Italisë, Silvio Berlusconi, përzgjodhi “pinjollin” e tij, Angelino Alfano, si pasardhësin e duhur për detyrën e Kryeministrit.

Pasi humbi shumicën në parlament ditën e martë, epoka e Kryeministrit 75-vjeçar është drejt fundit. Presidenti i vendit, Giogio Napolitano, konfirmoi të mërkurën atë që Berlusconi kishte thënë më parë, se ai do të dorëhiqet pas zbatimit të disa reformave të domosdoshme.

”Nuk më takon mua të vendos se cili do të jetë pasardhësi im, pasi kjo është detyra e presidentit. Megjithatë, nuk e shoh zgjidhjen tek një qeveri teknike, por tek zgjedhjet e parakohshme. Kush mund të jetë Kryeministri i ardhshëm? Angelino Alfano, një politikan dhe specialist i shkëlqyer”, deklaroi Berlusconi në rrjetin e tij të lajmeve, “Mediaset”. “Megjithatë, përsëris që nuk jam lider absolut i partisë sime dhe për figurën që do të konkurrojë nga gjiri ynë do të vendosë kryesia”.

Berlusconi
përsëriti edhe akuzat ndaj deputetëve të mazhorancës që abstenuan në votimin e buxhetit, duke sjellë kështu edhe fundin eventual të qeverisë së tij. “Më në fund, politikat imorale të Finit dhanë frytet e tyre. Megjithatë, ata shtatë deputetë të partisë sime që u rreshtuan kundër, tradhëtuan mandatin e tyre parlamentar dhe së bashku me të, edhe të gjithë Italinë”.

Napolitano: Zgjedhje të parakohshme ose qeveri teknike

Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, bëri të ditur në një intervistë televizive të mërkurën se vendi i tij do të marrë disa masa shtrënguese kursimi duke nisur që në ditët në vazhdim, për të nxjerrë ekonominë dhe financat e shtetit nga gjendja e rrezikuar në të cilat ndodhen.

”Kryeministri Silvio Berlusconi do të japë dorëheqjen pak pasi programi i reformave të shpallet”, shtoi 86-vjeçari. “Mbetet ende për të sqaruar nëse do të formohet një qeveri teknike apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Kjo do të varet shumë nga ajo që do të vendosin vetë partitë politike”.

Kush është Alfano?

Një prej “premtimeve” të politikës italiane, 41-vjeçar, Alfano ka avantazhin e energjisë dhe karizmës, ndërsa në rolin e Ministrit të Drejtësisë, është shndërruar në Ministrin më të ri në historinë moderne të Italisë.

Në të shkuarën, është vendosur shpesh nën presion nga mediat, për faktin që u bë nismëtar i një ligji që pengoi një ndjekje penale për Berlusconin në vitin 2009.

Një ndjekës besnik i Berlusconit që prej mesit të viteve 1990, avokati siçilian u shndërruar në lider të Partisë së Lirisë këtë verë, pasi partia e tij humbi në zgjedhjet vendore në Milano dhe Napoli, dy ish-bastione të këtij krahu politik

“Reformat”, Senati voton të dielën

Brenda pak ditësh dhoma e lartë e parlamentit Italian,
Senati pritet të aprovojë ose rrëzojë “masat e stabilitetit” financiar të
vendit, paraqitur nga qeveria e Berluskonit.

Kështu kanë rënë dakort palët në dhomën e lartë të
parlamentit Italian. Po nëse Senati do të kërkojë më shumë kohë për të
shqyrtuar plan-reformat, atëherë votimi pritet të shtyhet me një ditë. Kjo do të
thotë se votimi nuk do të kryhet më larg se dita e hënë.

Projekt-reformat u kaluan më herët në dhomën e ulët të
parlamentit Italian, ku u votuan nga 308 deputetë. Ky votim tronditi politikën
vendase, pasi Berluskoni, pavarësisht se kaloi plan-reformën, humbi numrat për
të mbajtur qeverinë në këmbë. 7 nga deputetët që zgjodhën të mos votojnë ishin
nga partia e vetë kryeministrit italian, PDL, ndërsa 5 të tjerët ishin nga
partitë aleate.

Plan-reformat finaniciare parashikojnë shkurtime drastike të
fondeve dhe rritje të një sërë taksash, përfshirë këtu edhe atë të akcizës së
karburanteve, që hyn në fuqi në ditët e para të 2012-s.

Por jo gjithcka është kaq gri për financat e Italisë.
Agjencia e vlerësimit të kreditimit, Fitch, në një raport të sajin, publikuar
ditën e mërkurë, thotë se Italia nuk rrezikon aspak falimentimin. Bondet
italiane thotë Fitch, janë krejtësisht të sigurtë.

Top Channel