Berisha në panairin “Bahçja e Tironës” 

13/11/2011 00:00

Kryeministri Sali Berisha është pritur sipas traditave më të vjetra të shqiptarit “me bukë e kripë e zemër të bardhë”. Në kembët e kalasë së Petrelës, kryeministri Berisha u bë pjesë e panairit, të organizuar nga kryetarët e 4 komunave në periferi të Tiranës, të Petrelës, Baldushkut, Farkës dhe Berzhitës. 

Përvec prodhimeve bujqësore e blegtorale, tradita e zonës së Tiranës, me veshje dhe me zakonet e vjetra, ishte ndër pjesët më interesante të panairit, duke përfshire në atmosferën tiranase edhe kryeministrin Berisha.

Në panair spikasnin ngjyrat dhe shijet e prodhimeve të këtyre zonave, por kryeministri Berisha u interesua vecanërisht për shegët, arrat, lajthitë frutat dhe ullinjtë e komunave, ku qeveria ka subvencionuar me mijëra rrënjë.

Dhe sërish kreu i qeverisë u beri thirrje banorëve të të gjitha komunave të vendit të bëhen pjesë e këtij projekti, që sipas tij do të përmirësojë dukshëm jetën e tyre.
 
“Sot, ne jemi në kushte krejtësisht të tjera me ato që ishin vite me parë, sot ne jemi në zemër të tregun më të madh të botës, që është tregu i Bashkimit Evropian. Ndaj dhe sëbashku, le të punojmë në këtë projekt të madh të ri, le të vendosim ne sëbashku për të qindfishuar rrënjët e drurëve frutorë. Aty ku ka një shelg, le të mbjellim një arrë, çdo gardh që kemi le ti mbjellim hardhi e lajthi, le te mbjellim ullinj në zonat që bëhet ulliri, le të shohim ne si do të rritet të ardhurat gjithsecilit brenda një kohe shumë të shkurtër”, tha kryeministri Berisha.

Në 4 komunat që merrnin pjesë në panair kishte edhe shumë biznese që janë ngritur në territorin e tyre dhe kryeministri Berisha përfitoi nga rasti për të garantuar ata se do të kenë lehtësi të tjera fiskale dhe jo rritje taksash, sic projektohet sipas tij në programin e Partise Socialiste.
 
“Do të rrisë taksat siç kërkon zoti Rama, me një urrejtje arkaike ndaj të pasurve. Unë i them atij se problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të mëkëmburit, por zgjidhen duke bërë çdo gjë që edhe të varfrit të bëhen të mëkëmbur dhe në qoftë se ti rrit taksat siç thua, për të shkatërruar me një të rënë të lapsit qindra-mijëra vende pune, nuk bën gjë tjetër veçse thellon varfërinë dhe mjerimin në vendin tënd, por kjo kohë ka perënduar dhe nuk kthehet më. Merru më kujtimet e tua”, shtoi Berisha.

Kryeministri Berisha i kushtoi vëmendje edhe infrastrukturës së re të ndërtuar në këto komuna. Dhe për ta promovuar atë, para zhvillimit të panairit, një grup motorristësh qarkuan me motorrët e tyre “Harley-Davidson”, rrugët dytësore që lidhin komunat me njëra-tjetrën dhe me rrugën nacionale, që lidh Tiranën me Elbasanin.
    
Iniciativa e motorristëve është mbështetur nga Kryeministri Sali Berisha për të nxjerrë në pah ndërtimin e një infrastrukture të re që lidh fshatrat mes tyre, ashtu edhe me rrugët kombëtare, duke i bërë më të afërt tregun e kryeqytetit, por duke i bërë këto zona piktoreske lehtësisht të arritshme për  kryeqytetin.
    
Motorristët, që u ngjitën në Petrelë së bashku me kryeministrin Berisha, përshëndetën njëri-tjetrin, secili sipas menyrës së tyre.     

Top Channel