Presidenti serb, Boris Tadic, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat përfundimisht.

Burimi i televizionit B92, siç raporton, Tadic ka thënë se fton serbët e veriut të tërhiqen nga barrikadat dhe të kontribuojnë në ruajtjen e interesave kombëtare të Serbisë.

“Barrikadat nuk sjellin një dobi të tillë, ato janë vetëm kërcënim”, ka thënë Tadic. Ai ka dërguar sërish porosi edhe tek ushtarët e KFOR-it që të mos heqin barrikadat njëanshëm pasi rrezikohet jeta e qytetarëve dhe mund të sjell rrezik në veri. Ky është një rreth dëshpërues, ka thënë Tadic, nga i cili nuk ka dalje dhe vetëm ekstremistët kanë përfitime nga kjo.

“Kështu nuk mund të zgjidhim problemet”, ka thënë ai. Sipas presidentit serb, çdo shkallëzim i tensioneve në Kosovë cenon interesin e Serbisë dhe nuk mund të refuzohen e të përsëriten gabimet e viteve ’90 kur serbët refuzuan planin Vens-Oven dhe planin Z4. Ky plan në fakt ishte ofruar për serbët e Kroacisë si një territor i veçantë. Ata kishin refuzuar, e më pas ndodhën dëbimet.Në Serbi tashmë kanë nisur të shfaqen dyshimet për mundësinë e statusit të kandidatit, ndonëse kanë ngelur vetëm 10 ditë kohë.

Tadic: Të ndërpritet konflikti në veri

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka kërkuar të hënën ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit mes serbëve të veriut të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare në këtë vend.

Reagimi i Tadic vjen pas një incidenti të ndodhur në fshatin Jagnjenicë, ku mbetën të plagosur disa ushtarë të KFOR-it.

“I ftoj zyrtarët e KFOR-it, EULEX-it, si dhe përfaqësuesit e serbëve që të kontribuojnë në qetësimin e situatës dhe sigurisë, si dhe për kthimin e lirisë së lëvizjes vetëm përmes dialogut dhe pa përdorur dhunën”, ka deklaruar Tadic.

Ai ka theksuar se jetët e qytetarëve serbë në veri të Kosovës duhet të ruhen, ashtu sikurse ato të trupave ndërkombëtare, “të cilat kanë si mision vendosjen e sigurisë”.

Tadic ka vijuar më tej duke thënë se, “liderët politikë të serbëve të veriut duhet t’i pengojnë ekstremistët që vënë në pikëpyetje sigurinë personale të bashkëqytetarëve dhe të dërguarve ndërkombëtarë në Kosovë”.

Top Channel