Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, delegacionet nga Kosova dhe
Serbia pritet që të mërkurën të vazhdojnë raundin e tetë të bisedimeve
teknike.

Përfaqësues të partive politike opozitare vazhdojnë të kritikojnë ketë dialog, duke thënë se Kosova nuk është dashur të hyjë në bisedime, pasi Serbia asnjëherë nuk i zbaton marrëveshjet e arritura.

Që nga fillimi i këtij procesi janë arritur disa marrëveshje si ato për pranimin e vulave doganore, qarkullimin e lirë, librat e amzës, marrëveshja për librat e kadastrës, si dhe së fundmi marrëveshja për njohjen e diplomave universitare.

Deri më tani, asnjë nga marrëveshjet, veç asaj për tregti të lirë, nuk është zbatuar nga pala serbe. Për më tepër, pala serbe, zbatimin e marrëveshjeve ka kërkuar ta diskutojë disa herë në takime.

Një çështje të tillë, analistët politikë e konsiderojnë si të papranueshme, madje si një lëshim nga pala kosovare.

Analisti Imer Mushkolaj thotë për radion Evropa e Lirë, se kur një marrëveshje arrihet, ajo duhet të zbatohet, e jo sërish të diskutohet për mënyrën e zbatimit.

“Në anën tjetër, ka munguar një presion nga ana e BE-së që të fillojë zbatimi i marrëveshjeve të arritura, nëse ato vërtet janë arritur”, thotë Mushkolaj.

Skënder Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, aktualisht deputet në Kuvend nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se marrëveshjet e arritura në dialogun e deritanishëm nuk kanë qenë marrëveshje.

Sipas tij, këtë e dëshmon fakti që ato marrëveshje po diskutohen vazhdimisht në takimet e delegacioneve.
Të arrish marrëveshje për zbatimin e marrëveshjeve është absurd i llojit të vet.

“Të arrish marrëveshje për zbatimin e marrëveshjeve është absurd i llojit të vet dhe është i paprecedentë në historinë e negociatave ose të bisedimeve. Kjo e dëshmon edhe një herë shkallën e ulët të seriozitetit të këtyre të të ashtuquajturave bisedime, sepse janë krejtësisht koti”, shprehet Hyseni.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, deklaron se diskutimi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, është një lojë e Serbisë, e cila “po tenton të përfitojë në kohë”.

“Kjo është një lojë që Serbia po e vazhdon. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë masa ndaj Serbisë që t’i ndërpresë këto bisedime, se qëllimi është të blejë kohë dhe të angazhohet tani – kur edhe është afati për integrim në Bashkimin Evropian”, thotë Isufi.

Raundi i fundit i bisedimeve Kosovë-Serbi është mbajtur javën e kaluar, ku është arritur vetëm një marrëveshje – ajo për njohjen e diplomave universitare.

Top Channel