Pas incidenteve të dy ditëve të fundit në veri të Kosovës, ku janë
lënduar rreth 30 ushtarë të forcave të KFOR-it, situata të mërkurën në
terren raportohet të jetë më e qetë.

Autoritetet e rendit thonë se gjatë natës, por edhe në paraditen e sotme, nuk është raportuar ndonjë incident. Njëri nga zyrtarët për informim në KFOR, Dan Harvi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja në veri të Kosovës aktualisht është e qetë.

“Situata në këtë mëngjes është e qetë. Nuk ka pasur ndonjë incident”, tha zyrtari.

Edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se në përgjithësi situata në veri është e qetë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se ngjarjet që kanë ndodhur në fshatin Jagenicë, nuk kanë ndikuar në pjesët e tjera të veriut të vendit.

​​“Ngjarjet e fundit, pas aksionit të KFOR-it në fshatin Jegenicë, përkatësisht në rrugën që lidh komunën e Zubin Potokut me Zveçanin, nuk kanë reflektuar në komunat tjera apo, më mirë thënë, në zonat e banuara me popullsi  të përzier, çfarë ishte edhe shqetësimi kryesor i strukturave të sigurisë”, tha Hoti, bën të ditur Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai bëri të ditur se në vendbanimet ku ka popullatë të përzier me shqiptarë e serbë janë ngritur masat e sigurisë.

“Policia e Kosovës ka ngritur vigjilencën kryesisht në zonat e banuara me popullatë të përzier ose edhe rreth objekteve vitale të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare në veri të Kosovës”, tha Hoti.

Dhuna dhe tensionet në veri janë të vazhdueshme, ndërsa serbët kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare në këtë pjesë të vendit.

Gjermania dhe Austria: Jo dhunës në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë, Ernest Reiqel dhe ai i Austrisë Johan Briger, vizituan ushtarët e lënduar gjermanë dhe austriakë të KFOR-it në spitalin në bazën e KFOR-it në Prizren.

Dy prej tyre kishin pësuar lëndime nga armë të zjarrit, ndërsa të tjerët kanë marrë lëndime të rënda nga mjetet shpërthyese.

Të dy ambasadorët dënuan fuqishëm dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe shprehën shqetësimin e tyre për intensitetin e saj, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ata i kanë bërë thirrje popullit në veri të Kosovës, që mos të lejojnë të keqpërdoren nga kryesit e dhunës për qëllimet e tyre dhe që ta respektojnë mandatin e KFOR-it për të siguruar lirinë e lëvizjes.

Top Channel