Berisha: Zi për mbretin e shqiptarëve

30/11/2011 00:00

Kryeministri Berisha nuk hezitoi që në mbledhjen e qeverisë ta cilësojë Leka Zogun “Mbret të shqiptarëve”.

“Sot në mëngjes ndërroi jetë mbreti i shqiptarëve, humbje e madhe për kombin, për vendin”, u shpreh Berisha.

Në shenjë respekti, qeveria u ngrit e tëra në këmbë, për mbretin.Por ajo që ra më shumë në sy nuk ishte ky homazh i pazakontë i qeverisë së Republikës së Shqipërisë për Leka Zogun, sesa një fjali e kryeministrit në lidhje me referendumin për monarkinë.

“Dua të theksoj këtu se edhe referendumi u bë në flakët e rebelimit komunist dhe nuk mund të konsiderohet si cështje e mbyllur, sepse në atë referendum mbizotëroi parimi stalinist: ju votoni, se numërimin e votave e bëjmë ne, por nga veriu në Konispol shqiptarët votuan masivisht për mbretin e tyre”, u shpreh Berisha.

Qëndrim i ri politik apo frazë e thënë atypëraty nga dhimbja, kjo mbetet për t’u parë. Në cdo rast qeveria shpalli të shtunën ditë zie kombëtare. Kurse ceremonia mortore do të organizohet nga një komision i kryesuar nga zëvendëskryeministri, ministri i Jashtëm dhe ministri i Kulturës.

Topi vlerëson figurën dhe rolin e Leka Zogut

Presidenti i Republikes Bamir Topi ngushelloi familjen e Leka Zogut dhe vlerësoi figurën dhe rolin e tij në luften kundër komunizmit.

“Leka Zogu I pati një jetë të vështirë, por pavarësisht nga fatet e jetës, ai nuk reshti në asnjë çast duke punuar me përkushtim e dashuri në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes shqiptare. Në kujtesën tonë kombëtare kanë mbetur të gjalla përpjekjet dhe roli i tij aktiv për rrëzimin e sistemit komunist, dhe, gjatë tranzicionit, për lartësimin e vlerave kombëtare dhe nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë”, tha presidenti në ngushëllimin e tij.

Ngushëllime nga Kosova

Vdekja e pretendentit për fronin mbretëror të Shqipërisë, Leka Zogut
ka bërë që drejtues të institucioneve të Kosovës dhe të subjekteve
politike të ngushëllojnë familjen Zogu dhe të gjithë shqiptarët.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një telegram ngushëllimi
dërguar familjes së Leka Zogut e vlereson si figurë e rëndësishme, që
përballoi shumë vështirësi në jetën e tij, te cilat lanë gjurmë në
kujtesën e popullit shqiptar.

Lidhja Demokratike e Kosovës,
në letrën e saj, shpreh ngushëllime për të gjithë drejtuesit e shtetit
në Shqipëri dhe për të gjithë shqiptarët. LDK vlereson ne kete leter qe
mbane firmen e kryetarit, Isa Mustafa, se Familja Mbretërore Shqiptare
është një nga simbolet e mëdha kombëtare dhe si e tillë duhet të ruhet
gjithmonë. Ndërsa, në letrën ngushëlluese të partisë së
zëvëndëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacollit, Aleancës Kosova e
Re, thuhet se, AKR “vlerëson kontributin e familjes mbretërore në
konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar, si dhe përpjekjet e
vazhdueshme të të birit të tij në të mirë të kombit”.

Ahmeti e Thaci: Të pikëlluar për Leka Zogun

Me rastin e vdekjes së pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu, liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni kanë dërguar mesazhet e tyre ngushëlluese për familjen mbretërore shqiptare.

“Në emër të të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim, si dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Leka Zogut”, thuhet në letrën e ngushëllimit të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

Në letrën e cituar nga agjencia e lajmeve “INA” më tej thuhet: “Lajmin për ndarjen nga jeta të pretendentit të fronit mbretëror e pranova me shumë dhimbje dhe hidhërim. Leka Zogu ka punuar me përkushtim për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë, ndaj unë dhë të gjithë bashkëpunëtorët e mi ndajmë dhimbjen me familjen tuaj të nderuar dhe jemi pranë jush në këto çaste të vështira”.

Edhe kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaci i ka dërguar gjithashtu një letër ngushëlluese familjes mbretërore.

“Me keqardhje të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të pretendentit për frontin mbretëror, lartmadhërisë se tij, Leka Zogu. Pa dyshim ky lajm pikëlloi cdo shqiptar”, shprehet Thaci në letrën e tij.

“Me ndarjen nga jeta të lartmadhërisë së tij Leka Zogu, familjarët humbën njeriun e tyre më të dashur, kurse shqiptarët një figurë të rëndësishme që simbolizonte unitetin dhe përkushtimin për cështjen shqiptare”, thuhet gjithashtu në letër.

Top Channel