“Ju tregoj jetën dhe vdekjen e Leka Zogut I”

30/11/2011 19:35

Skënder Zogu, djali i xhaxhait të Princit Leka dhe një prej njerëzve më të afërt në jetën e tij, tregoi detajet e funeralit shtetëror dhe disa prej momenteve kyçe të jetës së pretendentit të Fronit Shqiptar, në një intervistë gjatë emisionit të “Pasdites”, në “Top Channel”.

“Është një humbje e madhe për kombin shqiptar. Leka i dedikoi jetën Shqipërisë, çlirimit  të atdheut dhe trojeve tona në Kosovë dhe Çamëri. Ka vuajtur tërë jetën për këtë kauzë. E kemi përkrahur me sa kemi mundur nga jashtë. Do të na mungojë për kurajon, për frymëzimin që na jepte. Në këtë drejtim, ai na ka lënë të gjithëve jetim. Për fat të mirë, largohet nga kjo jetë me një pasardhës, pasi Leka II do të vazhdojë veprimtarinë e babait dhe të gjyshit”, deklaroi 78-vjeçari Zogu.

Duke zbuluar disa prej detajeve të ceremonisë mortore, kushëriri i parë i pretendentit të fronit, rrëfeu: “Do të vijnë disa kushërinj të afërt. Nga Turqia do të vijë Ergun Zogu, nipi i Zija Pashë Zogollit, vëllai i Xhemal Pashë Zogollit, babai i Ahmetit dhe i timit, Xhelal Beut. Nga Franca ka ardhur Zonja Silvian Myzelje, e njohur si tezja e shqiptarëve, e cila ka dërguar shumë ndihma humantirare në të shkuarën. Motra e Geraldinës, nga Marseja, vjen me djalin e saj, Reno,  i cili është deputet në Francë me partinë e Presidentit Sarkozy. Vijnë kushërinj nga Amerika, vjen Sermet Agolli Dushishti, nipi i Mbretit Zog. Janë dërguar ftesa tek mbretëria e Belgjikës, me të cilën ka patur marrëdhënie të ngushta. Është ftuar monarkua e Jordanisë, Arabisë Saudite dhe Spanjës”.

Duke shpjeguar detajet formale të ceremonisë mortore, Zoti Zogu shpjegoi: “Ceremonia do të bëhet në parlament. Kanë ardhur me qindra persona në pallat dhe na kanë qëndruar me të vërtetë shumë pranë. Një zonjë mes filmimeve tuaja tha që Mbreti s’ka bërë ndonjë gjë, por ai ka luftuar gjithmonë. Jetën e sakrifikoi në mërgim. Ka patur gjithmonë si ideal Shqipërinë, lumturinë e popullit, çlirimin nga serbët… Do të jetë një ceremoni e zakonshme, si u bë për nënën Geraldinë dhe Suzanën. Do të vihet në arkivol me uniformë ushtarake. Pas ceremonisë në parlament do të shkojë në varreza në Sharrë, ku ka vendin e tij, pranë nënës dhe Suzanës. Do të mbahen edhe lutje fetare sipas zakoneve tona muslimane”.

Pyetja që të gjithë shtrojnë në këto momente është se çfarë do të ndodhë më pas. “Më pas? Vazhdon trashëgimia. Ai ka lënë një trashëgimtar, që do të vazhdojë në rrugën e gjyshit dhe babait të tij. Leka II punon në Ministrinë e Brendshme, mban një detyrë zyrtare dhe vazhdon në këtë rrugë, kjo është e ardhmja. A duhet të martohet? Besoj se është i fejuar dhe një ditë do të martohet. Për momentin, nuk jam në gjendje t’iu them çdo bëhet. Me sa di unë, Mbreti Leka nuk ka lënë testament. Dje erdha dhe kalova natën pranë Mbretit. Me këtë rast, falenderoj mjekët dhe personelin e klinikës, që është përkujdesur në mënyrë të përsosur”.

Duke trajtuar problemin e ndarjes së trashëgimisë së pronave mbretërore, Skëndër Zogu u shpreh se: “Nuk kemi marrë pasuri të madhe. Leka ka marrë pallatin e hallave, motrave të mbretit Zog dhe vilën e Durrësit ia kanë dhënë, por është e shkatërruar nga brenda. Prona të tjera s’kanë marrë. Xhelal Beu, babai im, s’ka marrë asnjë pronë. Kemi shumë prona në Mat dhe dëshira është t’ia japim tokat fshatarëve sepse jeta jonë ka kaluar. Mbretët e tjerë të Ballkanit i kanë marrë direkt, por në Shqipëri ka patur shumë probleme me këtë çështje”.

I zhytur në kujtime, ai që ishte një prej njerëzve më të afër të jetës së Lekës së Parë, kujton: “E kam njohur për herë të parë 8 vjeç. Në 7 prill 1939 unë isha 6 vjeç dhe në atë moshë, me babain tonë, u nisëm në Stamboll nga Shkupi. U takuam me Mbretin Ahmet dhe familjen e tij në Stamboll. Princi Leka ishte 1-2 muajsh. Më pas u ritakuam në vitin 1947 në Aleksandri, në Egjipt. Në atë moshë e edukonte, thonte mos harroni, atdheu mbi të gjitha. Shqiptarizmin mos e humbni, detyra me ndihmu shqiptarët është detyra më e lartë. Në Francë u zhvendosëm më pas dhe atje ai bëri studimet. Në vitin 1961, kur vdiq Ahmet Zogu në 9 prill, organizova ceremoninë funerale. Me mijëra shqiptarë erdhën për varrimin e Mbretit. Atëherë, Leka mori trashëgiminë, detyrën për të shërbyer kombin. Gjatë jetës, ai ka patur influencë në ambasada, në Shba, ku kaloi një memorandum në Senat, për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Kjo çështje luajti kundër tij sepse perëndimi nuk e donte Kosovën me Shqipërinë. Hera e fundit që fola dhe e takova ishte një muaj e një javë më parë, kur erdhën për një vizitë. Ishte i lodhur. Kishte një hall, biseduam gjatë të gjithë kohës për rikthimin e eshtrave të mbretit Zog dhe familjes së tij. Në 2012-n, me rastin e 100-vjetorit, do të kthehen eshtrat e Mbretit Zog, Princeshave, babës dhe familjes mbretërore. Ky është një vendim jashtëzakonisht i lumtur për të gjithë ne dhe kombin shqiptar. Madje, edhe eshtrat e patriotëve të tjerë si Abaz Kupi e shumë më shumë duhet të rikthehen. Kam qenë bashkëpunëtor i afër për 15 vjet, kur isha kryetar i zyrës së shtypit të oborrit mbretëror. Merresha me shtypin, televizionet, ambasadat dhe kam patur shumë kontakte me trupat diplomatike, edhe pse sjam diplomat, por kimist tekstil. Unë do ta kujtoj Lekën si një njer bujar, që ndante pasurinë me nevojtarët, që i kushtoi të gjithë jetën çështjes shqiptare, ashtu siç duhet të bëjë një Mbret i Vërtetë”.

Top Channel