“Merkozy”, plani i taksave

08/12/2011 00:17

“Merkozy”, takimi i Parisit mes presidentit francez dhe kancelares gjermane duket se arriti tek detajet.

Përmes një letre, drejtuar Presidentit të Këshillit Europian, Herman Van Rompuj, ata u kërkojnë vendeve të eurozonës që të kenë taksa të njohura mbi koorporatat dhe transaksionet financiare. Harmonizimi i taksave te BE-së është një cështje shumë e debatueshme.

Britania e Madhe, për vite me rradhë i ka rezistuar këtij koncepti në bllokun me 27 anëtarë.

“Ne duhet të forcojmë rritjen ekonomike përmes konkurrencës dhe konvergjencës të politikave ekonomike të anëtarëve të eurozonës, të paktën”, thuhej në letrën e presidentit francez Nikola Sarkozi dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

Ajo bën thirrje për një kornizë të përbashkët ligjore, e cila të jetë plotësisht në përputhje me tregun e brendshëm duke mbuluar:

a. rregullimin financiar.
b. tregun e punës
c. konvergjencat dhe harmonizim të taksës mbi koorporatat dhe transaksionet financiare
d. politikat që mbështesin rritjen dhe një përdorim më të mirë të fondeve europiane brenda eurozonës.

Kryeministri britanik David Kameron tha të mërkurën se ai do të kërkojë mbrojtjen e sektorit të fuqishëm financiar të Londrës, në samitin e së premtes.  

“Sa më shumë të kërkojnë vendet eurozonës, po aq do të bëjmë edhe në këmbim”.

Sipas kryeministrit britanik, taksa mbi transaksionet financiare nuk do të ketë rezultat nëse nuk miratohen globalisht.Analistët thonë se qëndrimet e kundërta po bëhen më të forta.  Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë flasin për një kontratë të rinovuar mes vendeve anëtare të eurozonës.

Kriza aktuale paraqiti pamjaftueshmëritë në ndërtimin e Unionit Monetar Europian. Si Franca dhe Gjermania kërkojnë ndryshime të traktateve të BE-së për të forcuar disiplinën buxhetore.

Por komisioneri i cështjeve sociale Laszlo Andor, beson se sanksionet nuk janë rruga e vetme për të detyruar anëtarët e eurozonës t’i binden rregullave. Madje ai përmendi edhe pakënaqësinë e vendeve të vogla përballë dominancës së Francës dhe Gjermanisë, në procesin e vendimarrjes.

Top Channel