Liderët e BE, samit për euron

08/12/2011 08:55

Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian po bëhen gati të mbajnë një samit në Bruksel, ku do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje për frenimin e krizës së borxhit të eurozonës.

Bisedimet dyditore janë cilësuar nga disa analistë si zhvillime për jetë apo vdekje për 17 vendet anëtare të zonës së euros. Gjermania dhe Franca po kërkojnë traktate të reja për BE-në, duke thënë se duhet të aplikohen rregulla më të rrepta fiskale.

Por, presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy po ofron një plan i cili kërkon vetëm amendimin e traktateve.

10 vendet e tjera të BE, por që nuk janë pjesë e eurozonës, janë të shqetësuar se mund të izolohen nëse vendet e tjera të unionit, të udhëhequra nga Berlini dhe Parisi, vendosin ndjekien e një traktati të ri në mënyrë individuale.

Në prag të samitit, të gjitha shenjat janë se ai mund të jetë një “aferë me njollë”, ka deklaruar korrespondenti i BBC në Bruksel Chris Morris.

Të mërkurën, presidenti amerikan Barack Obama diskutoi mbi krizën e eurozonës me kancelaren gjermane Angela Merkel, gjatë një bisede telefonike.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se të dy liderët ranë dakord që cdo zgjidhje duhet të jetë afatgjatë dhe e besueshme. Ndërsa të enjten në mëngjes, sekretari i Thesarit Timothy Geithner pritet të takohet me kryeministrin italian Mario Monti në Romë.

Ky është i fundit i një serie takimesh që zoti Geithner po zhvillon me liderët e eurozonës, për shkak të shqetësimit të Amerikës për thellimin e krizës.

Top Channel