Përçahet Europa, Britania veto kundër traktatit

09/12/2011 08:55

Përpjekjet për të bashkuar të 27 vendet e Eurozonës në një traktat të ri të përbashkët për të përballuar krizën financiare kanë dështuar.

Duke folur të premten nga Brukseli, Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, informoi se është vendosur që 17 vendet e Eurozonës dhe 10 vendet e tjera jashtë saj që formojnë Bashkimin Europian do të punojnë për dy pakte të ndryshme.

Franca dhe Gjermania kanë lajmëruar se do të punojnë së bashku drejt krijimit të një traktari të ri financiar, në të cilin do të përfshihen sanksione për vendet që do të abuzojnë me financat e tyre. Lëvizja franko-gjermane ka gjetur rezistencë midis vendeve si Britania, me pretendimin se redukton sovraniten kombëtar.

“Dëshirojmë të mirën e vendeve të Eurozonës, pasi nga ajo varet rritja jonë ekonomike e përbashkët. Megjithatë, gjykimi im është se nuk do të ishte në të mirën e interesave të Britanisë së Madhe që të marrë pjesë në traktatin e kolektiv dhe si rrjedhojë, kam vendosur veton kundër”, u shpreh Kryeministri David Cameron.

Sarkozy shpjegoi se mospërputhja me Britaninë qëndronte mbi disa pika, ku Londra kërkonte që të ishin opsionale dhe të ekzistonte mundësia e tërheqjes në të ardhmen. “Diçka e tillë do të ishte e papranueshme”, tha Sarkozy. Njëkohësisht, ai hodhi tërësisht poshtë pretendimet se ndryshimet e reja në traktat janë duke formuar një Europë bipolare, të drejtuar nga aksi franko-gjerman.

Vendimi i Londrës për të mos u përfshirë në traktatin e ri për Europën, i ardhur pas dhjetë orë bisedimesh intensive ditën e enjte, solli një rënie të menjëhershme në bursat ndërkombëtare.

Midis vendeve të tjera europiane jashtë Eurozonës, Hungaria gjithashtu ka vendosur që të mos bëhet pjesë e asnjë traktati, ndërsa Suedia dhe Republika Çeke kanë vendosur të diskutojnë çështjen në parlamentet e tyre kombëtarë.

Top Channel