Britani, kritika ndaj Cameron

11/12/2011 09:20

Zëvendëskryeministri i Britanisë së Madhe, Nick Clegg, sulmoi David Cameron për veton e tij ndaj traktatit të ri të BE-së, me pretendimin se izolon vendin.

Burime pranë liderit të liberal-demokratëve thanë për BBC se Clegg i ka bërë të qartë shefit të qeverisë se lëvizja e tij nuk ka qenë në të mirë të interesave kombëtare.

Lëvizja e Clegg është dukur e çuditshme, duke patur parasysh që fillimisht ai e mbështeti mospjesëmarrjen në traktatin e ri europian dhe u bë pjesë e bisedimeve për qëndrimin që duhej mbajtur.

”Sipas Clegg, mënyra se si Cameron veproi në Bruksel ishte më shumë një shou politik. Reagimi i tij e izolon vendin dhe është e qartë që rruga e duhur për t’u ndjekur do të kishte qenë bashkëpunimi me vendet e Eurozonës”, citoi “BBC” personin pranë liderit liberal.

Deklaratat e fundit sjellin një përçarje të madhe në koalicionin qeverisës, pasi dy partitë kryesore të jetës politike në vend ndajnë një qëndrim krejtësisht të ndryshëm mbi raportet që duhen vendosur me partnerët europianë.

Qëndrimi i Cameron është mbështetur nga euroskeptikët, të cilët argumentojnë se si një vend që përdor paundin, Britania nuk ka përse të përfshihet në problemet e Eurozonës.

Më parë gjatë javës, vendimi i kryeministrit britanik bllokoi nismën franko-gjermane për të ndryshuar me konsensus të gjerë traktatin për Europën, duke vendosur veton kundër.

Top Channel