MPJ: Bllokimi i doganave, ekstremizëm

12/01/2012 00:00

Me tone të ashpra dhe pa asnjë ekuivok, Ministria e Punëve të Jashtme të
Shqipërisë ka dënuar thirrjet e Albin Kurtit për bllokimin e pikave
doganore kosovare me Serbinë.

Lideri i Vetëvendosjes ishte në Tiranë të mërkurën, për të mobilizuar shqiptarë edhe nga kjo anë e kufirit, veprim ky që u cilësua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë si një akt ekstremist.

“Ministria e Punëve të Jashtme dënon thirrjet ekstremiste të disa shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë. Veprime të tilla, si imitim i politikave ekstremiste serbe, nuk kanë asgjë të përbashkët me sakrificat dhe përpjekjet kontruktive mbarëshqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të një shoqërie multietnike, të një shteti që ndërton dhe zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët, në shërbim të paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon. Përdorimi i retorikës nacionaliste e pseudo-patriotike, në funksion të axhendave politike partiake, nuk i shërben aspak objektivave madhore të shqiptarëve për integrimin e secilit nga shtetet ku ata jetojnë në trojet e tyre, në Bashkimin Evropian, dhe nuk ndihmojne në njohjet e reja për shtetin e ri të Kosovës”, tha këshilltarja për shtyp e Ministrisë së Jashtme, Eva Kushova.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, energjitë e të gjitha forcave politike në Kosovë duhen të fokusohen te reformat e brendshme, integrimi i të gjitha komuniteteve, bazuar te respekti reciprok mes shteteve të pavaruara dhe sovrane.
 
Pack: Aksioni i Vetëvendosjes, cmenduri

Eurodeputetja gjermane, Doris Pack e ka cilësuar si “një cmenduri që duhet ndaluar” aksionin e paralajmëruar nga lëvizja Vetëvendosje me moton “Serbia nuk kalon”.

Në një intervistë për Radio Dukagjini, Pack ka deklaruar se Albin Kurti dhe aktivistët e lëvizjes së tij duhet të sillen ndryshe dhe jo të imitojnë serbët e veriut.

“Unë mendoj se kjo është një cmenduri që duhet parandaluar. Ata duhet të sillen ndryshe dhe jo sic sillen serbët në veri të Kosovës. Ky aksion e kthen Kosovën prapa”, ka vlerësuar Pack.

Sipas saj, aksioni i organizuar nga një prej partitë kryesore të Parlamentit të Kosovës tregon mosrespektimin e saj për ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

“Ndihem e turpëruar si deputete kur deputetët në Kosovë ndërmarrin nisma të tilla. Nuk mund ta pranoj që Albin Kurti bën gjëra të tilla. Kjo dëshmon mosrespektimin e Kushtetutës dhe të së ardhmes së Kosovës”, ka theksuar Pack.
 
Një ditë më parë ishte kryeministri kosovar Hashim Thaci që kritikoi ashpër aksionin e paralajmëruar të Vetëvendosjes, duke e quajtur lëvizjen në fjalë “Vetëfundosje”.

Thaci u shpreh se nisma “Serbia nuk kalon” është e ngjashme me modelin
e politikës serbe dhe shtoi se askush nuk mund ta marrë pushtetin me
dhunë.

Anëtarët e lëvizjes Vetëvendosje nga e hëna nisën të mbledhin emrat e studentëve dhe qytetarëve të cilët do të bashkohen në aksionin për bllokimin e dy pikave kufitare me Serbinë.

Vetë Albin Kurti, i cili dy ditë më parë mori cmimin Personazhi i Vitit nga Top Channel, vlerëson se ndaj Serbisë, që bllokon qytetarët dhe mallrat kosovare, Kosova duhet të përgjigjet me të njëjtën monedhë. 

Top Channel