Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i bën thirrje qytetarëve të mos bllokojnë rrugët, vendkalimet kufitare me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave.

Kjo thirrje vjen një ditë para protestës së lajmëruar nga lëvizja Vetëvendosje, e mbështetur nga shumë OJQ dhe sindikata të Kosovës. Ndaj protestës së paralajmëruar ka reaguar edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

“Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me reciprocitetin kërkohet të zbatohet nga qeveria e Kosovës dhe jo nga ndonjë subjekt partiak”, deklaron ai.

Kryeparlamentari shton se Kuvendi nuk e ka ngarkuar Vetëvendosjen dhe as ndonjë subjekt tjetër partiak për të zbatuar vendimin për reciprocitet.

Lidhur me këtë çështje gjatë ditës së premte reagoi edhe Bashkimi Evropian. Nëpërmjet një njoftimi, BE-ja inkurajon të gjithë të përmbahen nga veprimet që kanë për qëllim pengimin e ndonjë prej këtyre lirive, për arsye se veprime të tilla do të përfaqësojnë vetëm një kthim prapa në axhendën evropiane.

Reagime të ashpra kanë ardhur nga diplomatët e huaj në Prishtinë. Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i shohin me shqetësim veprimtaritë e planifikuara të Vetëvendosjes për datën 14 janar.

“Ne nxisim Vetëvendosjen që të përmbahet nga çfarëdo dhune ose provokimi ndaj personelit të Policisë së Kosovës. Veprime të tilla jo vetëm që do të jenë joligjore, por po ashtu do të rritnin tensionet politike në Kosovë dhe do të ndikonin negativisht në imazhin e Kosovës jashtë vendit”, thuhet në deklaratën e Pesëshes.

MPJ: Bllokimi i doganave, ekstremizëm

Me tone të ashpra dhe pa asnjë ekuivok, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka dënuar thirrjet e Albin Kurtit për bllokimin e pikave doganore kosovare me Serbinë.

Lideri i Vetëvendosjes ishte në Tiranë të mërkurën, për të mobilizuar shqiptarë edhe nga kjo anë e kufirit, veprim ky që u cilësua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë si një akt ekstremist.

“Ministria e Punëve të Jashtme dënon thirrjet ekstremiste të disa shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë. Veprime të tilla, si imitim i politikave ekstremiste serbe, nuk kanë asgjë të përbashkët me sakrificat dhe përpjekjet kontruktive mbarëshqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të një shoqërie multietnike, të një shteti që ndërton dhe zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët, në shërbim të paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon. Përdorimi i retorikës nacionaliste e pseudo-patriotike, në funksion të axhendave politike partiake, nuk i shërben aspak objektivave madhore të shqiptarëve për integrimin e secilit nga shtetet ku ata jetojnë në trojet e tyre, në Bashkimin Evropian, dhe nuk ndihmojne në njohjet e reja për shtetin e ri të Kosovës”, tha këshilltarja për shtyp e Ministrisë së Jashtme, Eva Kushova.

Top Channel