Itali, anija, gjendet kufoma e gjashtë

16/01/2012 08:20

Është gjetur një tjetër kufomë në anijen turistike Costa Concordia, e cila u mbyt natën e të premtes në afërsi të brigjeve të Toskanës.

Trupi i pajetë i burrit është gjetur nga zjarrfikësit të cilët kanë vazhduar kërkimet gjatë gjithë natës. Në këtë mënyrë shkon në gjashtë numri i personave që kanë humbur jetën në këtë tragjedi.

Kufoma gjendej në një zonë të anijes që nuk ishte përmbytur. ‘Ansa’ bën të ditur se personi ishte një pasagjer.

Në Costa Concordia rezultojnë të kenë qenë edhe dy shtetas shqiptarë. Ka shumë mundësi që ata të jenë mes pasagjerëve që kanë dalë në kohë nga anija, sepse shumica e personave që rezultojnë të zhdukur janë anëtarë të ekuipazhit, kryesisht kinezë dhe filipinas që duket se ndodheshin në zonat e shërbimit si lavanderia.

Prokuroria e Grossetos ka hapur nje hetim dhe janë arrestuar kapiteni 52 vjeçar i anijes Francesco Schettino e oficeri i parë në sallën e komandës Ciro Ambrosio, me akuzën e vrasjeve pa paramendim, mbytje dhe braktisje të anijes në kohën që një numër i madh pasagjerësh ende nuk ishin shpëtuar.

Duket se kapiteni është larguar nga anija që në orën 11 të natës, ndërsa operacionet e evakuimit kanë vazhduar deri në orën gjashtë të mëngjesit.

As specialistët dhe as peshkatarët e zonës nuk shpjegojnë dot mbytjen e anijes, një manovër e gabuar apo një afrim i tepruar në breg për të parë më mirë ishullin.

E njerëzit e detit, që zakonisht janë shumë supersticiozë kujtojnë se anija ishte nisur ditën e premte më 13 janar, datë që konsiderohet ters. E kujtohet se kur ajo është inauguruar, shishja tradicionale e shampanjës që përplaset në bord për të sjellë mbarësi, nuk është thyer.

Top Channel