Itali, rritet frika për të humburit

17/01/2012 09:50

Skuadrat e emergjencës në Itali kanë punuar gjatë natës në anijen turistike pothuajse të tërësisht e fundosur, por autoritetet druhen për jetët e 29 personave që konsiderohen të humbur.

Gjashtë persona dihet me siguri që kanë vdekur pasi “Costa Concordia” u përplas me shkëmbinjtë në brigjet e Italisë natën e së premtes.

Shefi i rojës bregdetare lokale, Marco Brusco deklaroi se shpresat që personat në fjalë të kenë mbijetuar janë shumë të vogla.

Pronari i anijes ka fajësuar ndërkohë kapitetnin për incidentin, duke deklaruar se ai ndryshoi kursin duke u drejtuar drejt ishullit.

Kapiteni Francesco Schettino, 52 vjec, është ndaluar nga autoritetet nën dyshimin për keqdrejtim dhe një gjyqtar do të vendosë së shpejti nëse ai do të mbahet më tej në burgim.

Italia deklaron se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme lidhur me ngjarjen dhe se do të sigurojë fonde për të shmangur një katastrofë të mundshme natyrore.

Ministri italian i Mjedisit deklaroi se nga anija kishte rrjedhje, por nënvizoi se është ende herët për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për karburant.

Ndërkohë, autoritetet italiane kanë mohuar një lajm të publikuar në mediat që thoshte se shtatë trupa ishin gjetur gjatë natës në anije.

Zyrtarët e Rojës Bregdetare deklaruan se numri i personave që konsiderohen të humbur ka rënë nga 29 në 16, por nuk dhanë sqarime për këtë ulje.

Drejtori i përgjithshëm i “Costa Crociere”, kompania që menaxhon anijet turistike në Itali, deklaroi të hënën se nga hetimet paraprake rezultonte se aksidenti ka ardhur si pasojë e një gabimi njerëzor.

Top Channel