Gjykata si lavatriçe e korrupsionit televiziv të Metës

17/01/2012 00:00

Andrea Stefani – Nuk ka shkaktuar asnjë habi në opinion lajmi se Gjykata e Lartë e ka
shpallur të pafajshëm Ilir Metën lidhur me akuzat për korrupsion aktiv
të ngritura nga prokuroria.

Habi do kish ngjallur e kundërta, pra, që gjykata ta kish shpallur politikanin e pushtetit Meta të pafajshëm. Ndodhi ajo që pritej dhe që ishte shprehur qartë në testime të ndryshme të opinionit përqindja dërrmuese e të cilit, qe shprehur se nuk priste që Meta të dënohej. Dhe nuk kemi të bëjmë me pritshmëri që buron nga bindja se Meta ishte i pafajshëm. Vetë videoskandali, ku Meta shfaqet me zë dhe me figurë, duke i propozuar afera të pista vartësit të tij, Dritan Prifti, nuk linte vend për dyshime. Përjashtuar rastit të fanatikëve të pushtetit që nuk mendojnë me kokën e tyre, por me kokën e një pushteti të korruptuar ku bën pjesë edhe vetë Meta. Përqindja dërrmuese e shqiptarëve shfaqi bindjen, tashmë të vërtetuar nga vendimi i Gjykatës së Lartë, se Meta nuk do të dënohet, sepse tashmë e ka të qartë se në Shqipëri nuk ka gjykata të pavarura dhe për rrjedhojë as demokraci të vërtetë. Zhvillimi është shumë ogurzi për liritë dhe të drejtat e njerëzve. Sepse një qeveri që ka në dorë të mos ndëshkohet një i fajshëm, ka gjithashtu në dorë të ndëshkohet çdo i pafajshëm. Pas kësaj, asnjë shqiptar nuk mund të ndihet i qetë dhe i sigurt.

* * *

Vendimi për shpalljen të pafajshëm të Ilir Metës do hyjë në rekordet “Gines” të nënshtrimit të një gjykate, vullnetit të pushtetit dhe braktisjes prej saj të misionit për të dhënë drejtësi. Është një vendim të cilin, për nga zbatimi me përpikëri i direktivave politike të liderit në pushtet, mund ta konkurrojnë vetëm gjykatat e kohës së Enver Hoxhës. Madje gjykatat shqiptare shfaqen sot më pa integritet edhe sesa ca gjykata nën regjimin nazist. Të paktën në fillimet e atij regjimi, sa terrori nuk kish hyrë ende në palcën e gjykatësve dhe të shoqërisë, ka pasur raste kur gjykatat kanë dhënë vendime në kundërshtim me vullnetin politik të pushtetit nazist. Një i tillë rast ka qenë gjyqi për djegien e Rajhshtagut ku, me gjithë presionin e madh të ushtruar nga Beringu, gjykatësit e shpallën të pafajshëm Gjergj Dimitrovin. Në Shqipëri, edhe pse diktatura berishiste nuk është instaluar akoma plotësisht, gjykatësit konformohen në mënyrën më të turpshme, duke dhënë një vendim që bie në kundërshtim edhe me shqisat e publikut, me atë që ata kanë parë dhe dëgjuar me figurë dhe me zë. Kjo është forma më vetëdiskredituese e vënies në shërbim të një pushteti nga ana e një gjykate. Është e vërtetë se jo pak të vërteta faktike mund të zhduken apo të manipulohen. Sikundër, për shembull, janë zhdukur dhe fshirë rekordet e kamerave apo mesazhet radiondërlidhëse të policisë dhe gardës në orët e masakrës së 21 janarit. Në këtë rast një gjykatë mund të ndeshë vështirësi për të gjetur se kush e ka dhënë urdhrin për vrasjen e demonstruesve paqësorë dhe të pafajshëm që nuk rrezikonin askënd, aq më pak Kryeministrin Berisha. Por të shpallësh të pafajshëm aktorin e një afere korruptive që e kanë parë të gjithë, është t’i imponosh së gjithë shoqërisë vullnetin e një pushteti të korruptuar dhe degradimin e gjykatës në lavatriçe të korrupsionit të pushtetit. Është të flasësh për rrobat e bukura të mbretit kur vetë mbreti është lakuriq para syve të të gjithëve.

* * *

Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë është një tjetër provë se, krejt në kundërshtim me sugjerimet e Bashkimit Europian dhe SHBA për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit të madh qeveritar, ajo që po prevalon në Shqipëri është antikultura e mosndëshkueshmërisë. Rasti “Meta” është një tjetër ilustrim tragjik i faktit që gjykatat e kapura refuzojnë të ndëshkojnë zyrtarë të lartë të korruptuar dhe politikanë të pasuruar në mënyrë shumë të dyshimtë. Ai tregon se tashmë gjykatat, nga institucione që shërbejnë për të kufizuar tendencat autokratike të pushtetit qendror me anë të ligjit dhe drejtësisë, janë kthyer në aleate të një pushteti të korruptuar. Vërtetohen kështu alarmet, e ngritura prej vitesh në media por të injoruara, për tendencat autokratike të Berishës manifestuar edhe si kapje e pushtetit të drejtësisë. Tashmë antikorrupsioni në Shqipëri ka përballë edhe një tjetër kundërshtar që është pushteti i kapur i drejtësisë. Pushteti i drejtësisë ka hyrë në aleancë të hapur me një qeveri të korruptuar. Deri më sot, dhunimi i drejtësisë nga pushteti me anë të gjykatave të kapura ishte maskuar me sofizma juridikë apo me “kuti të mbyllura”, që nuk u lejuan të hapeshin po me sofizma juridikë kolegjesh që, gjithsesi, shërbenin si gjethe fiku e padrejtësisë. Por rasti “Meta”, shpallja hapur si të pafajshëm e këtij të korruptuari televiziv, është dalje hapur e Gjykatës së Lartë në mbrojtje të korrupsionit të pushtetit kundër drejtësisë. Një pozicionim që i duket krejt normal Spartak Brahos, avokat i Metës por edhe jurist i kohës së diktaturës komuniste, i mësuar me të tilla shërbime ndaj diktaturave, pushteteve. Juristë të tillë të diktaturës, Berisha premtoi t’i spastronte nga gjykatat që në nisje të tranzicionit. Por sot po i përdor për të qëndruar në pushtet. Komedia mbaroi, tha Braho, në përfundim të procesit, disa do qeshin dhe disa do qajnë. Është e vërtetë. Do qeshin lakenjtë e pushtetit dhe do qajë pjesa dërrmuese e shqiptarëve që shohin si po vdes ideja e shtetit ligjor në Shqipëri. Komedia mbaroi – tha Braho. Në fakt mbaroi komedia e pushtetit berishist me gjykatën. Tani fillon tragjedia. Përdorimi nga autokrati Berisha i gjykatave, por edhe i prokurorisë sapo ta shtjerë në dorë, kundër opozitës dhe çdo shqiptari që guxon ta kritikojë regjimin e tij. Dje Berisha e paralajmëroi shumë qartë kur nga pozitat e një kryeprokurori kërcënoi me arrogancë enveriane Edi Ramën se 21 janari do hetohet. Berisha bën deklaratë të tilla ndërsa nuk lë gur pa luajtur që hetimi i 21 janarit të obstruktohet. Sepse do që hetimi të bëhet jo tani, por kur të ketë në dorë një kryeprokuror të gatshëm të provojë si prestigjator ekzistencën e “thikave me helm” apo “pistoletat çadër” të opozitës. Është pikërisht mungesa e drejtësisë që bën këtë kryeministër, vullneti prej Gedafi i të cilit vrau 4 qytetarë të pafajshëm, të kërcënojë opozitën me gënjeshtra e shpifje për puç, ndërkohë që duhet të ishte vetë në bankën e të akuzuarve. Shqiptarët paskan harruar se tamam kështu lajmëronte Enveri, shkatërrimin e grupeve armiqësore. Gjërat kanë shkuar shumë larg. Shqipëria po ecën praptazi drejt diktaturës, ndërsa Berisha mashtron shqiptarë e ndërkombëtarë me premtime boshe, integrimin në Europë. Dhe është në dorë të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që ta ndalin instalimin përfundimtar të mizorisë autokratike në Shqipëri.

Gazeta “Shqip”

Top Channel