Itali, ndërpriten kërkimet në kryqëzorin e fundosur

18/01/2012 15:15

Operacionet e kërkimit në kryqëzorin e mbytur pranë ishullit italian të Xhilios janë ndërprerë, pasi anija lëvizi nga vendi, duke rikthyer frikën e rrëshqitjes së saj në një zonë ku thellësia shkon në 70 metra thellësi.

Sipas burimeve zyrtare, puna pritet të rifillojë pasditen e së mërkurës, me polumbarët që do të rikthehen në zonat e përmbytura, për të kontrolluar për të mbijetuar ose trupa. Sidoqoftë, katër ditë pasi “Costa Concordia” goditi disa gurë dhe u fundos në ujra të cekët, është e qartë që do të duhet një mrekulli për të gjetur të mbijetuar të tjerë.

Në total, 11 persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 23 të tjerë janë të zhdukur. “Instrumentat treguan se anija ka lëvizur. Jemi në procesin e vlerësimit të rreziqeve, përpara se të rifillojmë punën”, deklaroi një prej udhëheqësve të operacioneve në det.

Ndërkohë, disa anije të specializuara për rikuperimin e naftës në det vazhdojnë të qëndrojnë pranë kryqëzorit që mbante mbi 4 200 persona në momentin e mbytjes, nga frika se serbatorët që mbajnë 2 300 tonë karburant mund të çahen dhe të shkaktojnë një katastrofë ekologjike.

Përveç tragjedisë, shtypi botëror ka përqendruar vëmendjen e tij edhe mbi kapitenin Francesco Schettino, i vendosur në arrest shtëpie, për akuzën e vrasjes së pavullnetshme.

Publikimi i një sekuence radiofonike tregoi se kapiteni dhe oficeri i parë ishin ndër të parët që u larguan nga anija që po fundosej. Ata refuzuan shprehimisht të riktheheshin në bordin e saj, për të udhëhequr operacionet e shpëtimit, ashtu siç e kërkon ligji.

Në një komunikatë, kompania që operonte kryqëzorin turistik kërkoi “falje të thellë” ndaj të gjithë të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave, ndërsa pranoi se sipas të gjithave fakteve që janë në dorë, aksidenti duket se është shkaktuar nga një gabim njerëzor.

Top Channel