Komisionerja për Cështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom në datat 19 dhe 20 janar do të qendrojë për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur zyra ndërlidhëse e KE në Prishtinë, e cila përmes një komunikate për shtyp ka sqaruar se qëllimi i vizitës është nisja e dialogut për liberalizimin e vizave.

Sipas njoftimit, ditën e parë të vizitës Malmstrom do të takohet me kryeministrin Hashim Thaci dhe me disa prej anëtarëve të kabinetit të tij.

Gjithashtu, në axhendën e saj komisionerja evropiane ka edhe një takim me shefin e misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac.

Ndërsa ditën e premte, zonja Malmstrom do të zhvillojë një vizitë në shkollën “Selman Riza”, në Fushë Kosovë, ku do të mbajë edhe një fajlim.

Komisionerja për Cështjet e Brendshme ka qenë ndër zërat e parë në radhët e Bashkimit Evropian që ka folur në favor të nisjes së dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën.

Dakord me të janë shprehur edhe zyrtarë të tjerë të BE-së, të cilët gjithësesi kanë nënvizuar se, para se të arrijë heqjen e regjimit të vizave, Kosova duhet të përmbushë kushtet.

Aktualisht Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon lëvizjen e lirë drejt vendeve të Perëndimit, ndërkohë që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Bosnje e Hercegovinës mund të lëvizin pa viza.

Top Channel