Itali, kapiteni i kryqëzorit pranon përgjegjësinë

18/01/2012 20:50

Kapiteni i kryqëzorit të fundosur në ujra të cekta pranë ishullit italian të Xhilios pranoi se përplasja fatale me gurët u shkaktua nga gabimi i tij në manovrim.

Të paktën kjo është ajo që raportonin mediat italiane gjatë ditës së mërkurës. Aksidenti i ndodhur në orët e para të së shtunës shkaktoi 11 viktima, ndërsa 23 persona janë shpallur të humbur.

Kapiteni Francesco Schettino duket se pranoi përpara hetuesve se dha me vonesë urdhërin për të kthyer anijen luksoze, duke bërë të pashmangshme përplasjen.

”Costa Concordia” kishte në bordin e saj më shumë se 4 200 persona në momentin e përplasjes, por kapiteni Schettino ishte ndër të parët që braktisi anijen, duke rënduar edhe më shumë pozitat e tij.

Një bisedë telefonike me drejtuesin e operacioneve të shpëtimit në det tregoi se kapiteni, së bashku me oficerin e tij të parë, një shtetas me origjinë greke, refuzuan shprehimisht që të riktheheshin në bordin e anijes. Sipas tyre, ishin në gjendje që të komandonin operacionin e shpëtimit që nga toka.

”Isha duke lundruar me shikim, sepse e njoh shumë mirë thellësinë në atë rajon. Manovrën që kërkoja të bëja (kalimin pranë bregdetit), e kisha provuar me sukses 3-4 herë më parë. Megjithatë, këtë herë e dhashë me shumë vonesë urdhërin për të kthyer anijen dhe përfunduam në ujra tepër të cekët. Nuk e di përse ndodhi kjo. Unë besoja se isha ende në zonë të sigurt”, u shpreh Schettino.

Kompania që operonte kryqëzorin, “Costa Crociere”, u shpreh më parë gjatë javës se ndryshimi i kursit të lundrimit kishte qenë i paautorizuar dhe i panjohur prej tyre.

Duke shprehur mbështetje për pozitat e kapitenit, ata u shprehën se të gjitha faktet që kishin në dorë, të bënin të besoje se aksidenti ishte shkaktuar si pasojë e një gabimi njerëzor nga ana e Schettinos.

Aktualisht, Schettino po mbahet në arrest shtëpie. Mbi të rëndon akuza e vrasjes së shumëfishtë të pavullnetshme, neglizhencës në detyrë dhe braktisjen e një mjeti në vështirësi, akuza për të cilat, në bazë të drejtësisë italiane, rrezikon der në 15 vjet burgim.

Top Channel