Itali, kërkimet brenda anijes në rrezik

19/01/2012 23:10

I ftohti dhe rreziku i rrëshqitjes së anijes nuk kanë penguar specialistët spereologë nënujorë të vazhdojnë kërkimet brenda anijes Costa Concordia, e cila me 4200 persona në bord, u përplas mbrëmjen e të premtes së kaluar në brigjet e ishullit të Giglios në Toskanë.

Mungojnë ende 21 persona dhe me kalimin e orëve shuhen shpresat për gjetjen e tyre në jetë. Janë identifikuar ndërkohë edhe dy prej 11 viktimave.

Parashikohet një përkeqësim i motit, gjë që vë në rrezik operacionet e shpëtimit dhe mund të hapë një skenar kafastrofik për sa i përket mjedisit nëse nuk arrihet të zbrazen në kohë cisternat e anijes, ku ndodhen 2.300 tonë karburant.

Për zbrazjen e tyre duhen rreth 2 javë, por më parë duhet të përfundojë kontrolli brenda çdo skute të anijes, 300 metra e gjatë dhe me 1500 kabina.

Kompania Costa Crociere ka filluar të kontaktojë pasagjerët për fillimin e procedurave të rimbursimit dhe ka bërë të ditur se ka pezulluar nga puna kapitenin e anijes Francesco Schettino.

Deri tani ai konsiderohet përgjegjësi i aksidentit, i shkakuar nga afrimi i tepërt me bregun dhe përplasjes me një shkëmb nënujor, i sinjalizuar në të gjithë hartat e lundrimit.

Aktualisht kapiteni ndodhet në arrest shtëpie i akuzuar për vrasje të shumfishtë pa paramendim, mbytje dhe braktisje të anijes përpara se të shpëtonin të gjithë pasagjerët.

Priten rezultatet e analizave që do të tregojnë nëse kapiteni ka marrë drogëra apo alkool.

Nesër Këshilli i Ministrave do të shqyrtojë dekretin për ndryshimin e trajektoreve të anijeve në brigjet më të rrezikshme.

Mendohet se do të shpallet edhe gjendja e emergjencës në ishullin e vogel të Giglio-s, ku banojnë vetëm 1.400 persona dhe ku që tani janë verifikuar dëme mjedisore.

Top Channel