“Të paprekshmit”

21/01/2012 00:00

Irena Luto – Kishte momente kur mendoja komplet jashtë realitetit shqiptar, se Ilir
Meta mund të sakrifikohej për t’i hapur rrugën europiane vendit, se Ilir
Meta do të përdorej siç përdorën serbët, Karaxhiçin e Mlladiçin.

Ëndrra me sy hapur!
Ilir Meta nuk ka bërë krimet e ish-komandantëve serbë, Ilir Meta nuk ka derdhur gjak.
Hidrocentralet, tenderët apo aferat korruptive, për të cilat akuzohej, tek ne vazhdojnë të konsiderohen si afera “bravo i qoftë, është i zoti”. Atëherë, përse duhej dënuar Meta dhe kush ishte ai i pastër që do të mund të hidhte gurin e parë?!
Për një vend kaq të vogël si Shqipëria, nuk është e vështirë të marrësh vesh se si bëhen tenderët, kush i fiton ato dhe çfarë lidhjesh kanë fituesit me pushtetarët apo drejtuesit e institucioneve.
Transparenca pra, është shumë e lehtë dhe duhet të bëhet për të gjithë njësoj. Problemi tek ne është ndërgjegjja kolektive dhe kultura e mosndëshkimit, që do ta lërë Shqipërinë gjithmonë prapa vendeve të zhvilluara.
Një elitë e tërë gazetarësh e analistësh komentojnë përditë mbi realitetin vendas, duke situr në mendjet e tyre të kulturuara gati gjithçka që lëviz apo mbetet në vend.
Shqiptarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë teori politologjie, kur realiteti përjashta është kaq banal e primitiv, shqiptarët janë të lodhur me gënjeshtra. Shqiptarët e dinë se politikanët janë pasanikët e këtij vendi dhe paraja që kanë akumuluar i bën të paprekshëm.
Shqiptarët e dinë që gjyqet i fiton më i pasuri dhe drejtësia dhe ligji është në anën e tij.
Shqiptarëve u mungon një rilindje e ndërgjegjes kolektive, atyre u duhet një iluminizëm vlerash për shekullin 21.
Shqiptarët janë të ngopur me intelektualë që e vënë kulturën e tyre në shërbim të justifikimit të makinacioneve dhe akteve që bëhen kundër të mirës së përgjithshme.
Shqipëria besoj se ka numrin më të madh të programeve politike për banor, numrin më të madh të analistëve për frymë dhe mungesën më të madhe të lëvizjeve në emër të shoqërisë civile (të papolitizuar).
Ata pak njerëz që lexojnë gazetat dhe të tjerë më të shumtë që ndjekin debatet në TV, pavarësisht moralit apo ligjit, përherë do të jenë me atë parti që i mban në punë apo thjesht me atë parti, që u jep bukë.
Vendimi për “pafajësinë e Ilir Metës” ka gëzuar shumë familje që varen prej partisë së tij dhe koalicionit me PD-në, por ka mërzitur shumë të tjerë, që kishin besuar se do të krijohej një precedent i fuqishëm për të luftuar korrupsionin. Këtë precedent nuk mund ta luftojmë me mjetet dhe realitetin ku jemi, nuk mund ta luftojmë me mjetet që e kanë shkaktuar këtë problem dhe kurrsesi nuk mund ta luftojnë duke vënë çarqe që kapin vetëm disa lloje minjsh.
Realiteti i sotëm shqiptar është ai që e kemi krijuar vetë dhe vetëm vetë mund ta ndryshojmë.
Drejtësia është ajo që kërkon vëmendjen më të madhe në Shqipëri, sepse respektimi i ligjit është jetike për një demokraci.
Mos harrojmë se shumë diktatura kanë ardhur në fuqi me votën e shumicës dhe se një shtet demokratik i zhvilluar është ai që ka institucione të fuqishme dhe të pavarura.
Të zhgënjyerve për vendimin ndaj Ilir Metës, u them se në demokraci llogaridhënia dhe transparenca është detyrë e çdo qeverie.
Megjithëse peshorja e drejtësisë vazhdon të anojë nga pushteti, para ligjit jemi të gjithë të barabartë.
Të mos rreshtim së kërkuari llogari qeveritarëve tanë për çdo qindarkë të shpenzuar dhe fituar.
Të drejtosh një vend është privilegj, të jesh transparent është detyrë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel