Fshati Restelicë i dha lamtumirën e fundit 9 banorëve të tij. Morti që zbriti nga malet i ka lënë pa fjalë njerëzit në këtë fshat malor, ndërsa heshtja për viktimat prishet kur atyre u duhet të tregojnë se ndoshta e keqja ende nuk ka kaluar.

Ata drejtojnë gishtin te një faqe mali ku shenjat sipas tyre s’lënë dyshime se një ortek tjetër mund të jetë i afërt.

Kjo është një tjetër lagje e Restelicës, ku banorët sic na treguan atje i braktisën shtëpitë për të zbritur më poshtë në fshat te të afërmit, për të mos pësuar fatin tragjik të familjes Reka.

Mes mikpritjes dhe mirënjohjes për gazetarët që kjo fatkeqësi i solli në fshatin e tyre të largët, në Restelicë të përcjellin drejt vendit të tragjedisë. Rruga për atje është e vështirë. Bora shpesh e mbulon njeriun, shtigjet janë të ngushta dhe aty ku ka patur rrugë vetëm disa ditë më parë, sot mbretëron vetëm një bardhësi vrasëse, jo vetëm për sytë.

Banorët kanë të vështirë dhimbjen, por të tjerë njerëz të vështirë kanë misionin e tyre. Në një vend ku brenda pak minutash moti ndërronte nga diell, erë, apo llohë borë e papritur,  ekipet e kërkimit të FSK i gjetëm në ditën e tretë të operacionit, teksa kërkonin një 20 vjecar, viktimën e fundit të zhdukur nën gërmadhat me dëborë.

“Ne kemi kërkuar në vendin ku kanë qenë banorët e familjes Reka dhe aty nuk ka dyshime për viktima të tjerë. Ne po këkojmë disa metra më poshtë pasi sipërfaqja e dëborës është më e gjerë”, tha komandanti i operacionit, Mehmet Ladrovci

Pasi kërkuan në sipërfaqen ku ishte kuzhina e familjes Reka, fare pranë vendit ku u gjet e gjallë 5 vjecarja Asmira ekipet e FSK e zgjeruan perimetrin e kërkimit.

Në gërmadhat ku jeta është kthyer në akull ka ende rreziqe, por cfarë do t’i rrezikojë më gjatë banorët e këtij fshati do të jetë mali dhe zemërimi i motit, për sa kohë që ajo cfarë ndodhi do të kuptohet thjesht si një fatkeqësi që mori jetë njerëzish e që largon të tjerë nga vatrat e tyre.

Top Channel