Në veri të Kosovës, banorët serbë po vazhdojnë të votojnë në referendumin për pranimin ose jo të institucioneve të Prishtinës zyrtare.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, aktualisht votimi po mbahet në komunën e Leposaviçit, ndërkohë që ditën e martë u votua në Zveçan dhe Zubin Potok. Për momentin është e vështirë të flitet për rezultate.

Përmes një komunikate për shtyp, qeveria e Kosovës e ka dënuar organizimin e këtij proçesi “ilegal e të papërgjegjshëm” dhe ka ftuar komunitetin ndërkombëtar që të ushtroj presion ndaj Serbisë, për t’i dhënë fund akteve të tilla.

Përveç Prishtinës, referendumi është kundërshtuar edhe nga Beogradi, pasi sipas zyrtarëve të qeverisë serbe, mund të ketë ndikim negativ në kohën kur pritet marrja e statusit të kandidatit për integrim në Bashkimin Europian.

Ditë më parë edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, e cilësoi referendumin si një provokim të mundshëm ndaj popullatës shumicë në Kosovë.

Në një intervistë për mediat gjermane ai shfaqi frikën se nga shqiptarët mund të shpërthejë ndonjë reagim kur serbët e veriut të dalin në votime. Por, ushtaraku gjerman është zotuar se KFOR-i ështëi gatshëm ta evitojë më të keqen.

Gjithashtu, edhe BE ka dënuar proçesin në fjalë, duke bërë thirrje që çështjet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës të zgjidhen përmes dialogut dypalësh.

“Situata e veçantë në pjesën veriore të Kosovës mund të gjendet vetëm me dialog dhe konsultime e jo me barrikada apo referendum”, deklaroi zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Koçijançiç.

Top Channel