Kuvendi i Kosovës ka dënuar përmes një deklarate të ashtuquajturin referendum të organizuar nga strukturat jo-legjitime të komunave veriore të Kosovës, që u mbajt më 14 dhe 15 shkurt.

Për më tepër, përmes deklaratës të mbështetur nga grupet parlamentare vlerësohet se referendumi nuk prodhon asnjë efekt politik dhe juridik dhe si i tillë është i pavlefshëm.

Adem Grabovci, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, ka deklaruar se përmes referendumit në veri, Serbia ka shkelur sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Mbajtja e referendumit nga ana e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës ka cënuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Serbia me këtë akt ilegal ka shkelur rendin, sovranitetin dhe integritetit e Republikës së Kosovës”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Rezoluta ka marrë votat e 64 deputetëve, përfshirë edhe të opozitës nga LDK dhe AAK, ndërsa subjektii tretë parlamentar, Lëvizja Vetëvendosje ka abstenuar gjatë votimit, pasi sipas Visar Ymerit, në rezolutë bëhet thirrje që të zbatohet Plani i Ahtisaarit, e të cilin Vetëvendosje që nga fillimi e konsideron si “problem i Kosovës”.

Ymeri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, që sipas tij nuk bëri asgjë për pengimin e referendumit dhe se nuk po e mbron sovranitetin e as integritetin territorial në atë pjesë. Ndërsa lideri i Vetëvendosjes deklaroi se “një kotësie të veriut, po i përgjigjemi me një kotësi nga Prishtina”.  

“Është absurde të konstatohet cënimi dhe në anën tjetër të mos thuhet asgjë se cfarë duhet të bëhët për atë cënim?! Në një farë mënyrë po tregohet një lloj pafuqie karshi cënimit, po konstatohet cënimi dhe s’po ndërmerret asgjë”, deklaroi kreu i VV, Albin Kurti.

Ndryshe, duke folur rreth emërtimit ose jo si struktura paralele të atyre që financohen nga Serbia, kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi thotë se nuk janë tamam të tilla, sepse sipas tij një ditë do të quhen me emrin e vërtëtë, e ky emër është agresion i Serbisë në një pjesë të Kosovës.  

“Ne mund t’i quajmë edhe kështu si po i quajmë sot, por po u them se sinqerisht ka për të ardhur dita ku kemi për t’i quajtur me emrin e tyre të vërtetë dhe emri i tyre i vërtetë është ‘agresion i Serbisë në një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, tha kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Serbët e veriut të Kosovës të thirrur nga përfaqësuesit ilegal të komunave veriore për dy ditë kanë mbajtur referendumin në të cilin janë deklaruar me “po” ose “jo” nëse i pranojnë institucionet e Kosovës.

Top Channel