Serbët në veri të Kosovës kanë refuzuar autoritetin e Prishtinës
zyrtare, në referendumin që u mbajt të martën dhe të mërkurën, të
kritikuar nga Serbia dhe BE.

Krerët ilegalë të komunave serbe deklaruan se 99.7 për qind e votuesve i thanë “jo” qeverisë kosovare që qeveris shtetin e ri të Ballkanit.

Rreth 90 për qind e popullsisë së Kosovës është me etni shqiptare, ndërkohë që serbët dominojnë në zonën veriore në kufi me Serbinë.

Serbët e Kosovës kanë injoruar vendimet e Prishtinës dhe janë bërë pengesë për lëvizjen e misioneve të BE-së dhe NATO-s për ruajtjen e sigurisë.

Korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se referendumi dyditor mund të komplikojë përpjekjet e Serbisë për të intensifikuar dialogun me autoritetet e Prishtinës dhe për të marrë statusin e kandidatit për në BE.

Parlamenti i Kosovës kundërshtoi referendumin e serbëve përmes një rezolute, duke deklaruar se ai nuk prodhon asnjë efekt ligjor e politik dhe për rrjedhojë është i pavlefshëm.

Kosova ka rreth 120 mijë serbë, nga të cilët 40 mijë jetojnë në veri dhe pjesa tjetër në enklavat e jugut, raporton agjencia e lajmeve “AFP”.

Para mbajtjes së referendumit presidenti serb Boris Tadiç deklaroi se ai ishte i dëmshëm për interesat e Serbisë, e cila nuk njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008.

Top Channel