Bashkimi Europian ka injoruar rezultatin e referendumit të mbajtur nga serbët e veriut në Kosovë ndërsa ka konfirmuar se dialogu vijon ditën e martë të javës që vjen.

“Nuk kam absolutisht asgjë për t’i shtuar atyre çfarë kam thënë gjithë këto javë. Qëndrimi ynë është i njohur dhe unë mund të konfirmoj se raundi i radhës i dialogut do të zhvillohet javën e ardhshme, ditën e martë këtu në Bruksel”, deklaroi Maja Koçijançiç, zëdhënëse e kryediplomates europiane, Catherine Ashton.

Edhe pas insistimit me pyetje mbi pasojat e mundshme të rezultatit të referendumit, ku sipas organizatorëve, 99.7 % të votuesve në këtë referendum i thanë “jo” qeverisë së Kosovës, Koçijançiç preferoi të rendisë vetëm temat e dialogut të radhës.

“Gjatë dialogut do të diskutohet për bashkëpunimin rajonal si dhe mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë mes palëve. Siç jua kam shpjeguar më parë, për ne, referendumi nuk është zgjidhja, e cila vjen vetëm nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve”.

Në kohën kur pala kosovare këmbëngul se dialogu i Brukselit është vetëm teknik, pritet të shihet zhvillimi i radhës i këtij procesi, edhe pas kërkesave të NATO-s për zgjidhje politike për veriun e Kosovës në kuadër të këtij dialogu.

Arta TOZAJ, Bruksel

Top Channel