Afganistan, sulm në vendin e masakrës

13/03/2012 00:00

Një grup militantësh në Afganistan kanë kryer një sulm me armë zjarri
ndaj një delegacioni qeveritar që po vizitonte vendin ku ushtari
amerikan vrau 16 civilë.

Dy nga vëllezërit e presidentit Hamid Karzai dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë janë pjesë e delegacionit që është ndalur në Panxhuai, në provincën e Kanaharit.

Forcat afgane të sigurisë i janë përgjigjur zjarrit, por për momentin nuk dihet nëse nga luftimet ka pasur viktima.

“Mund të konfirmoj se talebanët kanë kryer një sulm nga drejtime të ndryshme ndaj delegacionit të qeverisë, që ishte atje për t’u takuar më banorët dhe liderët tribalë”, ka deklaruar një zyrtar afgan për BBC.

Sipas tij, vendi ku ka ndodhur sulmi është një zonë ku guerrilasit talebanë janë të pranishëm dhe veprojnë me kapacitete të plota. “Në këtë pikë, forcat tona po i përgjigjen zjarrit”, ka saktësuar zyrtari.

Ndërkohë, të martën në mëngjes, rreth 600 studentë morën pjesë në një tubim në qytetin lindor të Xhalalabadit, duke dënuar sulmin dhe duke bërtitur “Vdekje Amerikës! Vdekje Obamës”. 

Incidenti, ushtari veproi i vetem

Ushtari amerikan i akuzuar për vrasjen e 16 civilëve afganë, në
Afganistan veproi i vetëm. Pentagoni e cilësoi ngjarjen tragjike, por
incidenti mbetet i izoluar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhe, Xhej Karnej tha se se data e tërheqjes së trupave amerikane nuk do të ndryshojë pas ngjarjes së rëndë në provincën jugore të Kandaharit .

Me herët deputetët afganë miratuan një mocion, ku nënvizohej fakti se civilët afganë e kanë humbur durimin me trupat ndërkombëtarë. Talebanët premtuan hakmarrje për vrasjet e fundit.

Emri i ushtarit amerikan nuk është mësuar ende, por raportohet se ai është rreth të 30-ve me tre fëmijë. Vrasja e 16 civilëve kryesisht fëmijë dhe gra erdhi në një moment të tensionuar të marrëdhënieve mes afganëve dhe trupave ndërkombëtare.  Pas djegies së disa kopjeve të Kuranit në një bazë të NATO-s në Kabul, muajin e kaluar, nisën edhe protestat gjatë të cilave humbën jetën 30 persona si dhe gjashtë ushtarë amerikanë.

Top Channel