MPJ: Zgjedhjet serbe në Kosovë të paligjshme

14/03/2012 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se vendimi i Beogradit për të
mbajtur zgjedhjet edhe në  disa komuna të Republikës së Kosovës është i
paligjshëm dhe i të papranueshëm,  pasi  cënon integritetin e një vendi
fqinj sovran.

“Përpjekjet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e deritanishme të bisedimeve mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku Serbia kërkon të integrohet”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Institucioni i lartë shqiptar, duke i konsideruar si të paligjshme, thekson se këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik, personat e zgjedhur nuk do të kenë autoritet ligjor.

“I vetmi efekt që këto zgjedhje sjellin  është forcimi i strukturave paralele kriminale serbe në veri të Kosovës, çmontimi i të cilave është detyrim i Republikës së Serbisë. Këto zgjedhje gjithashtu cënojnë perspektivën e integrimit të plotë të komuniteteve etnike në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Serbia shpall zgjedhjet edhe në Kosovë

Serbia ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë. Në ditën kur janë shpallur zgjedhjet parlamentare dhe lokale, kryetarja e kuvendit, Sllavica Gjukic-Djenaovic, ka thënë se zgjedhjet nuk do të mbahen në Pejë, Prishtinë, Mitrovicë, Leposavic dhe Novobërd apo në 17 qytete të Serbisë, ku janë mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme lokale.

Por, kryetarja e kuvendit ka lënë mundësinë e konsultimit me UNMIK-un, sic ka thënë për zgjedhjet në Kosovë dhe për të respektuar përveç kushtetutës së shtetit edhe rezolutën 1244.

Ndërsa nga ana tjetër presidenti, Boris Tadic, i cili i pari ka shpallur zgjedhjet parlamentare, ka theksuar se këto zgjedhje kanë të bëjnë me qëllimet e Serbisë dhe me dëshminë se Serbia është një vend i lirive dhe demokracisë.

Njëkohësisht është spekuluar se vet presidenti, Boris Tadic, mund të japë dorëheqjen dhe të shkohet në zgjedhje presidenciale, por për këtë ka ende kohë.

Kuvendi i Serbisë ka 250 deputetet, kurse këto zgjedhje vijnë në atmosferën kur Serbia ka fituar statusin e kandidatit për në BashkiminEuropian, por edhe në kohën e krizave të mëdha dhe mungesën e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve dhe do të jetë një test i rëndësishëm për vetështetin serb.

Reagon Prishtina: Zgjedhjet të papranueshme

Prishtina e konsideron qendrimin e Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë të papranueshëm.

Përmes një deklarate, qeveria e Kosoves i kujton autoriteteve serbe se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës.

Vendimi i sotëm, shkruhet në deklaratë, e demaskon qasjen anti-europiane të Serbisë ndaj Kosovës si dhe demostron se ky vend vazhdon të ushqejë politikat e shekullit të kaluar.

Në deklaratë thuhet se Bashkimi Europian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë që mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat dhe parimet europiane.

Këto zgjedhje do të jenë pa efekt juridik apo politik dhe si të tilla do të trajtohen, shkruhet më tej në deklaratë, pra zgjedhje të paligjshme dhe pa legjitimitet demokratik. Qeveria e Kosovës i bën thirrje qytetarëve serbë të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës.

BE, e befasuar për zgjedhjet serbe në Kosovë

Bashkimi Evropian nuk është shprehur zyrtarisht rreth vendimit të Serbisë që në zgjedhjet që i organizon ajo të përfshihet edhe Kosova.

Por, jozyrtarisht e ka quajtur një mundësi të tillë si gjë e cila është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Serbisë.

”Ne nënvizojmë se shpallja e zgjedhjeve në Kosovë nuk është në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Serbisë, më saktësisht me rezolutën 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së”, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian në Bruksel, cili ka folur për vendimin e autoriteteve të Serbisë për zgjedhje edhe në territorin e Kosovës.

Zyrtarë të BE-së kanë thënë jozyrtarisht se nuk kanë pritur që Serbia të shpallte zgjedhje edhe për territorin e Kosovës. Ata kanë thënë se ndjehen të befasuar me një vendim të tillë.

“Pasi që Serbia ka insistuar aq shumë që në dialogun me Kosovën, kjo e fundit të bindet për përmendjen e Rezolutës 1244 në fusnotë, për pjesmarrjen e Kosovës në nismat rajonale Serbia do të respektojë edhe vetë atë Rezolutë dhe të mos zhvillojë zgjedhje në Kosovë”, thuhet në Bruksel.
 

Top Channel