Afganistan, dergohet ne Kuvajt marinsi vrasës

15/03/2012 00:00

Ushtari amerikan i akuzuar për vrasjen e 16 civilëve të dielën në Afganistan, përfshirë gra e fëmijë, është larguar për në Kuvait, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane.

Sipas burimeve, proçedimet ligjore ndaj rreshterit, emri i të cilit mbahet sekret, do të bëhen në një vend tjetër. Viktimat u qëlluan në shtëpitë e tyre, veprim ky që shkaktoi një irritim të madh në radhën e popullsisë afgane.

Transferimi i ushtarit përkon me vizitën e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Leon Panetta, mbërritja e të cilit në Afganistan u shoqërua me një incident në pistën e aeroportit.

Një makinë e vjedhur lëvizi me shpejtësi në pistën ku do të ulej avioni i zotit Panetta, në bazën britanike të provincës së Helmandit, Camp Bastion.

Por automjeti u përplas me një llogore dhe mori menjëherë flakë. Shoferi i saj, një shtetas afgan që mbeti i plagosur, u arrestua.

Gjithësesi, komanda e NATO-s në Afganistan njoftoi se zoti Panetta dhe personat e tjerë që po udhëtonin me të nuk kanë qenë asnjëherë në rrezik.

Shefi i Pentagonit ishte në Helmand për të mbajtur një fjalim para ushtarëve amerikanë, për shkak të frikës se ata mund të bëhen shënjestër e hakmarrjes së vendasve.

Ndërkohë, ditën e djeshme presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri britanik David Cameron deklaruan se ngjarja nuk do ta ndryshojë planin e aleatëve për Afganistanin.

Top Channel