Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se mbajtja e
zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë është diçka e padiskutueshme.

Sipas Daçiç, kryetarja e Kuvendit të Serbisë e ka firmosur shtrirjen e proçesit në territorin kosovar dhe kjo punë tani ka marrë fund.

“Serbia nuk do të diskutojë nëse këto zgjedhje duhen mbajtur në Kosovë. Zgjedhjet janë mbajtur prej 13 vjetësh dhe nuk e di përse tani ato duhet të jenë të diskutueshme”, ka deklaruar Daçiç.

Ndër të tjera, ministri i Brendshëm ka pranuar se Beogradi ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare për të mos i shtrirë zgjedhjet në territorin e Kosovës.

Por nga ana tjetër, ai ka theksuar se Serbia nuk ka nevojë t’i marrë leje faktorit ndërkombëtar për të ushtruar një të drejtë që sipas tij nuk mund të vihet në dyshim.

“Qeveria jonë me siguri se nuk do të pyesë dikë nga jashtë për nënshkrimin e zgjedhjeve. Serbia është shtet dhe sovraniteti i saj duhet të respektohet”, ka thënë Daçiç.

Pack: Jo zgjedhje serbe në Kosovë

Eurodeputetja Doris Pack ka kundërshtuar vendimin e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në territorin e Kosovës.

Pack deklaroi se një gjë e tillë bie ndesh me kriteret e BE-së që i dha Serbisë statusin e vendit kandidat dhe me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Por ajo që është më e rrezikshme, sipas Pack, është se shtrirja e këtij proçesi mund të shkaktojë një konflikt ndëretnik, sidomos në veri të Kosovës.

Ajo i bëri thirrje Komisionit Evropian që të mos heshtë përballë këtij vendimi dhe të marrë hapa konkretë për ta detyruar Beogradin që të heqë dorë nga ky projekt.

“Jam thellësisht e zhgënjyer me këtë vendim, pasi në Parlamentin Evropian jam shprehur pro kandidaturës së Serbisë”, theksoi Pack.

Lunaçek: Serbia rrezikon datën e negociatave

Eurodeputetja tha se qeveria e Kosovës nuk ka instrumentet e duhura për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri dhe për këtë i kërkoi Bashkimit Evropian që të autorizojë misionin EULEX për të ndërmarrë veprimet e duhura.

Edhe eurodeputetja tjetër, Ulrike Lunaçek kërkoi që Beogradi të tërheqë vendimin e tij, duke përmendur të njëjtat argumente të koleges së saj gjermane.

Në një prononcim për “REL”, Lunaçek tha se i takon administratës së Kombeve të Bashkuara që vepron në Kosovë që t’u bëjë të qartë serbëve se nuk mund të mbahen zgjedhjet lokale.

“Është e qartë që zgjedhjet lokale nuk mund të mbahen atje dhe jam e sigurt që UNMIK-u do t’ua bëjë këtë të qartë serbëve dhe shpresoj që serbët ta kuptojnë këtë”, tha ajo.

Eurodeputetja paralajmëroi më tej Beogradin se do të rrezikonte marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE nëse zbaton vendimin e së martës.

Thaçi: Serbia po provokon konflikt

Ditën e mërkurë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë komentoi planet serbe për të mbajtur zgjedhjet, si ato lokale, ashtu edhe ato të përgjithshme edhe në Kosovë.

Kryeministri kosovar tha se pretendimet e Beogradit bien ndesh me ligjet e Kosovës, normat me të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës si dhe me vetë rezolutën 12-44.

“Ky pretendim është në kundërshtim me ligjet e Kosovës, me rezolutën 1244 dhe normat e  tjera mbi të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës. Qeveria e respekton parimin e dyshtetësisë, por qeveria e Kosovës e vlerëson si pretendim për agresion ndaj Kosovës e që bie ndesh me vlerat europiane”, tha kryeministri Thaçi.

Londra: Jo zgjedhje serbe në Kosovë

Edhe Mbretëria e Bashkuar doli kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, duke deklaruar se një gjë e tillë përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Reagimi erdhi nga sekretari britanik për Evropën, David Lidington përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të internetit të dikasterit të tij.

“Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës do të ishte në kundërshtim më ligjin ndërkombëtar. Ne mirëpresim synimin e Serbisë për t’u konsultuar me institucionet ndërkombëtare përsa i përket kësaj çështjeje”, deklaroi Lidington.

Gjermania: Zgjedhjet, ndesh me rezolutën 1244

Vlerësim të njëjtë bëri edhe i ngarkuari me punë i ambasadës gjermane në Prishtinë, Mathias Kiesler, i cili deklaroi se mbajtja e zgjedhjeve përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

“Ambasada gjermane përshëndet paralajmërimin e kryetares së Parlamentit dhe presidentit serb, që zgjedhjet e planifikuara për t’u mbajtur më 6 maj, duhet të jenë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë”, tha Kiesler.

Madje, shtoi diplomati gjerman, mbajtja e zgjedhjeve serbe në territorin kosovar është një veprim që shkel edhe parimet e rezolutës 1244, nga e cila vetë Serbia nuk heq dorë.


MPJ: Zgjedhjet serbe në Kosovë të paligjshme

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë vlerësoi se vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhjet edhe në  disa komuna të Republikës së Kosovës është i paligjshëm dhe i të papranueshëm,  pasi  cënon integritetin e një vendi fqinj sovran.

“Përpjekjet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e deritanishme të bisedimeve mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku Serbia kërkon të integrohet”, thuhej në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Institucioni i lartë shqiptar, duke i konsideruar si të paligjshme, theksoi se këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik, personat e zgjedhur nuk do të kenë autoritet ligjor.

“I vetmi efekt që këto zgjedhje sjellin  është forcimi i strukturave paralele kriminale serbe në veri të Kosovës, çmontimi i të cilave është detyrim i Republikës së Serbisë. Këto zgjedhje gjithashtu cënojnë perspektivën e integrimit të plotë të komuniteteve etnike në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës”, thuhej në reagim.

Top Channel