Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar një letër presidentit të Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy, shefes së Politikës së Jashtme dhe Çështjeve të Sigurisë, zonjës Catherine Ashton dhe përfaqësuesve të pesë shteteve, SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italiasë.

“Po Ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim të thellë me paralajmërimet e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, me të cilat shkelet sovraniteti i shtetit tim, sfidohet fuqishëm integriteti territorial dhe provokohet destabilizimi i Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes.

“Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh, kudo qoftë në Republikën e Kosovës”, thekson Jahjaga.

Në letër shprehet qartë qëndrimi se ky proçes zgjedhor minon pavarësinë duke u organizuar në territorin e Republikës së Kosovës. Për presidenten Jahjaga, ky zhvillim është një kthim prapa i përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Kosovës, që kanë punuar shumë në dy dekadat e fundit për të rikthyer normalitetin në rajon.

“Është kthim në retorikën dhe veprimet e së kaluarës që nuk i përkasin një vendi i cili kërkon anëtarësim në BE”, thotë Jahjaga. Më tej presidentja vlerëson se, ky paralajmërim ka shkaktuar tensione mes qytetarëve të Republikës së Kosovës që kanë punuar shumë për të krijuar një shtet të pavarur, bazuar në parimet qytetare dhe që po vazhdojnë të ndërmarrin hapa të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie që bazohet tek barazia.

“Tolerimi i këtij akti, të ndërmarrë nga Republika e Serbisë, gjithashtu rrezikon dialogun e ndihmuar nga BE-ja dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke rrezikuar ndalimin e këtij proçesi të rëndësishëm për të ardhmen e gjithë rajonit”, thuhet në letër.

“Iu bëj thirrje, Bashkimit Evropian dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare, që të tregojnë vendosmëri në mos lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. Republikës së Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se një nga kërkesat kyçe për rrugën e saj drejt integrimit në BE është parimi i respektimit të fqinjësisë së mirë”, përfundon letra e presidentes së Kosovës drejtuar ndërkombëtarëve.

Top Channel