Policia e Kosovës ka filluar përgatitjen e planit operativ për parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës. Këtë e bëri të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Në një komunikim me telefon Rexhepi tha se plani operativ policor do të përfshijë parandalimin edhe të fushatës zgjedhore të kandidatëve potencialë. Kjo sipas ministrit bëhet në mënyrë që të parandalohen tensione të tjera.

Pjesë e planit është edhe bllokimi në kufi i materialit zgjedhor. E po kështu policia, sipas Ministrit të Brendshëm do të jetë e gatshme për të ndërhyrë edhe në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. Por si do të bëhet kjo gjë në veri, atje ku autoriteti i Kosovës mungon? Ministri nuk ishte shumë i gatshëm të flasë pasi sipas tij plani operativ është ende në fazën përgatitore.
 
Dhe duket se planet konkrete për të penguar veprimet e Serbisë në Kosovë nuk janë diskutuar me opozitën pavarësisht takimeve të përbashkëta kohëve të fundit. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani megjithatë kërkoi nga qeveria që të koordinohet me faktorin ndërkombëtar për veprimet Veri.
 
“Këto nuk janë veprime që identifikohen në një takim të vetëm, por koordinohen pas një negociate të qartë edhe me organet e tjera të Kosovës edhe me shërbimet e inteligjencës. Cdo mekanizëm duhet të jetë në bashkëpunim me ndërkombëtarët, vecanërisht KFOR dhe EULEX”, thotë deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Në LDK po kështu ekziston mendimi se nëse Serbia nuk tërhiqet nga vendimi për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë atëherë Prishtina duhet të heqë dorë nga dialogu.
 
Nga ana tjetër në Vetëvendosje duken më të prerë për sa i përket mekanizmave kushtetues që qeveria duhet të përdorë për parandalimin e këtyre zgjedhjeve.
 
“Mekanizmat janë. Vetë kryeministri tha se qeveria ka mekanizmat e nevojshëm si Ministria e Drejtësisë, ajo e Punëve të Brendshme, gjykatat, shërbimet e inteligjencës. Të gjitha këto duhet të jenë aktive që në ditën e zgjedhjeve të konfiskohen materialet zgjedhore dhe arrestohen personat organizatorë të zgjedhjeve”, deklaron Liburn Aliu, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
 
Subjektet politike parlamentare  të enjten në mënyrë unanime miratuan në Kuvend rezolutën që detyron qeverinë e Kosovës të parandalojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

Top Channel