Një përleshje mes disa personave, si dhe të shtëna me armë zjarri, të
cilat kanë rezultuar me një të plagosur, kanë ndodhur rreth orës 3:00 të
mëngjesit të së enjtes në veri të Mitrovicës.

Bëhet e ditur se i plagosuri është trajtuar në repartin kirurgjik të spitalit në veri të Mitrovicës, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetë.Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se njësitë e para policore të cilat kanë reaguar, nuk kanë takuar persona të dyshuar në vend të ngjarjes, ndërsa janë drejtuar në qendrën spitalore me ç’rast kanë kontaktuar personelin mjekësor.

Sipas tij, ata kanë kuptuar se viktima, një 23-vjeçar, i përkatësisë etnike serbe, kishte pësuar një plagë në këmbë ndërsa ishte në gjendje të mirë shëndetësore.”Sipas deklaratës nga viktima, thuhet se ai ishte rrethuar nga një grup i personave në momentin kur ishte ndaluar me automjetin e tij, ndërsa pas një zënke verbale kishte dëgjuar të shtënat dhe një dhimbje në këmbë duke aluduar në plagosjen me armë, por nuk ishte në gjendje të sqaronte rrethanat e paraqitura apo edhe identitetin e sulmuesve”, ka thënë Hoti, duke shtuar se policia është duke zhvilluar hetimet në kualifikimin e rastit si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Mitrovicë, shqiptarët gati për vetëmbrojtje

Një ditë pasi kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati porositi shqiptarët e Veriut që të mbrohen vetë nga serbët armatosur, ata duket se me të vërtetë e kanë vetëmbrojtjen si alternativën e vetme.

Gjatë vëzhgimit të Top Channel nëpër lagjet veriore të banuara me shqiptarë, takuam banorë të cilët teksa po flisnin për situatën e vështirë, treguan përgatitjet e tyre.
 
Qytetarë të thjeshtë të cilët bashkë me familjet e tyre jetojnë në zonat e thella të Veriut të Mitrovicës. Ata flasin për mënyrën se si e kanë kuptuar mesazhin e kryetarit Kastrati, ndërkohë që japin edhe mesazhet e tyre për institucionet e Kosovës.

Një nga arsyet pse
banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës nuk duan të shfaqen përpara
kamerës, është frika e konfiskimit të armëve nga Policia e Kosovës. Kjo
në fakt është denoncuar në takimin që përfaqësuesit e lagjeve veriore patën një ditë më parë me kryetarin Kastrati.
 
E gjithë kjo situatë vjen vetëm pak ditë pas vrasjes së Selver
Haradinajt në shtëpinë e tij. Në mungesë të rrugëdaljes dhe mesazheve që
u përçohen, shqiptarët kanë hartuar strategjitë e tyre të veprimit
kundër institucioneve të Serbisë në këtë pjesë.
 

Top Channel