OKB, rezolutë për Sirinë

14/04/2012 00:00

Këshilli i Sigurimit do të votojë rezolutën që autorizon nisjen e misionit vëzhgues, që do të mbikëqyrë armëpushimin në Siri.

Teksti u finalizua të premten, por nuk është ende e qartë nëse Rusia, që i ka vendosur veto dy rezolutave të mëparshme, do ta miratojë kësaj herë në Nju Jork.

Përpjekjet për hartimin e projekt/tekstit u penguan nga mosmarrëveshjet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat parandaluan votimin e së premtes.

Diplomatët e rishikuan draftin për të lehtësuar edhe kundërshtimet ruse, por Moska ende nuk është e vendosur për ta mbështetur.Ambasadori rus në OKB, Vitali Churkin u tha gazetarëve se ka patur diskutime frytdhënëse, por nuk është plotësisht i kënaqur me to.

Rezoluta bën thirrje për zhvendosjen e një ekipi prej 30 vëzhguesish. Do të kërkohet një miratim tjetër për të shtuar numrin e tyre në 250, siç kërkon Kofi Annan. I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe tha se një grup i vogël monitoruesish është thuajse gati për t’u nisur në Siri sapo të miratohet rezoluta.

Më herët, presidenti amerikan, Barack Obama autorizoi shtimin e ndihmës amerikane për opozitën politike siriane, përfshirë pajisje dhe furnizime mjekësore.

Aktivistët thonë se ushtria ka goditur disa zona në qytetin e Homsit, mbrëmjen e së shtunës. Ata publikuan video të tankeve dhe mortajat, vecanërisht në lagjen Qarabis, pak pas lutjes së të premtes.

Të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit, që nisi mëngjesin e së enjtes, por me vënien e tij në zbatim dhuna është reduktuar, por ende situata mbetet e brishtë.

Top Channel