Një grup personash të panjohur kanë sulmuar të shtunën pasdite një të ri shqiptar. Ngjarja ka ndodhur në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, ndërsa viktima pas kërkimit të ndihmës në Qendrën e Emergjencës në Mitrovicë, është lëshuar në shtëpi.

Sipas deklaratave të viktimës sulmuesi ishte i nacionalitetit boshnjak, i cili ka lidhje të forta me grupe kriminale serbe në veri. Për më tepër viktima dyshon se, incidenti ka mundur të ndodhë për shkak të pjesëmarrjes së tij në protestën e organizuar nga Këshilli i Rinisë të Mitrovicës të premten kundër EULEX-it.

Në anën tjetër, autoritet serbe brenda 17 ditësh kanë arrestuar 5 qytetarë të Kosovës, përshirë këtu edhe dy policët që u liruan pas 48 orësh. Arrestimi i fundit është Mark Koshnjeti, ai u kap të shtunën në pikën kufitare në Merdar, gjatë kontrollit në anën serbe, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, e ka cilësuar “edhe politik” arrestimin e kosovarit nga pjesëtarët e MUP-it serb të shtunën në pikën kufitare në Merdar, gjatë kontrollit në anën serbe.“janë arrestime edhe politike”, ka deklaruar ministri Rexhepi.

Lajmi për arrestimin e 5 shqiptarëve të Kosovës nga autoritet serbe si zakonisht e ka dhënë ministri serb për Punë të Brendshme, Ivica Dacic.Ai ka thënë se shqiptari kosovar “dyshohet për krime lufte kundër serbëve, të kryera në vitet 1990 në Kosovë”.

Arrestimet e shqiptarëve që dalin në Serbi nisën më 28 mars, kur u arrestua kryesindikalisti i Metalistëve të Kosovës, Hasan Abazi dhe Adem Murseli, në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, në kufirin Kosovë-Serbi.

Top Channel