Francë, Chirac do votojë për Hollande

17/04/2012 00:00

Ish-presidenti i qendrës së djathtë në Francë, Jacques Chirac do të
votojë për socialistin Francois Hollande në raundin e parë të zgjedhjeve
presidenciale të ditës së diel.

Lajmin e ka bërë të ditur shkrimtari Jean Luc Barre, i cili për një gazetë ka deklaruar se deklaratat e bëra nga zoti Chirac vitin e kaluar nuk ishin një shaka.

“Jacques Chirac thotë të vërtetën kur deklaron se do të votojë për Francois Hollande”, thotë zoti Barre, që ndihmoi ish-presidentin të shkruante kujtimet e tij.

“Unë e takoj atë shpesh, ne drekojmë dhe darkojmë së bashku. Pas katër vitesh diskutime, unë mendoj se jam i vetmi që e di mirë se çfarë mendon ai”, shton shkrimtari.

Zoti Chirac ka kritikuar Sarkozy në kujtimet e tij. Korrikun e kaluar ai tha se do të votonte për Hollande, por më vonë shtoi se po bënte shaka, pas kritikave nga aleatët politikë.

Në atë kohë, analistët sugjeruan se zoti Chriac po hakmerrej për injorimet që i ishin bërë atij. Gazeta “Le Parisien” sugjeron se kjo çështje ka ndarë familjen e Chirac.

I biri dhe vajza e ish-presidentit duket se mbështesin qëndrimin e të atit, ndërsa bashkëshortja e tij, Bernadett, është shfaqur disa herë në mitingjet mbështetëse të Sarkozy.

Top Channel