Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka përsëritur qëndrimin e saj se zgjedhjet lokale serbe nuk mund të mbahen në veri pasi në këtë mënyrë cënojnë integritetin territorial të Kosovës.

Sa për zgjedhjet parlamentare, presidentja ka vlerësuar se institucionet e Kosovës e njohin të drejtën e votës për personat me dy shtetësi dhe ka nënvizuar se kjo e drejtë do të respektohet.

Sipas raportimeve të “RTK”, këto deklarata zonja Jahjaga i ka bërë gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, me të cilin ka biseduar edhe për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Ndërkohë, në të njëjtën linjë me kryetaren e shtetit është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka paralajmëruar se qeveria e tij do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të ndaluar zgjedhjet lokale serbe.

I pyetur nga mediat kosovare, Thaçi ka preferuar të mos japë një përgjigje të saktë nëse mes këtyre mjeteve bën pjesë edhe përdorimi i forcës policore.

Në fund të marsit, qeveria serbe njoftoi se hiqte dorë nga planet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, me argumentin se, pa mbështetjen e UNMIK-ut, organizimi dhe zhvillimi i tyre do të ishte shumë i vështirë.

Mbajtja e zgjedhjeve ishte kundërshtuar edhe nga autoritetet ndërkombëtare, të cilat vlerësonin se një shtet nuk mund të organizojë zgjedhje në një shtet tjetër.

Top Channel