U kërkua që të debatohet për hapat e mëtejshëm të reagimit në veri, por përvec fjalimeve të gjata të cilat e pasqyronin situatën në këtë pjesë qeveria por edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës mbyllën seancën e jashtëzakonshme në mënyrë mjaft të zakonshme.

Ndryshimi ishte se këtë herë deputetet e opozitës u larguan në momentin që kryeministri Thaci mori fjalën pas katër orë debati. Kryeministri Thaci foli me radhë për incidentet e fundit. Fillimisht tha se policët e rrëmbyer është dashur t’u japin përgjigje kushtetutese xhandarëve serbë të cilët i rrëmbyen.

Kryeministri Thaci dënoi sulmin ndaj Selver Haradinajt por u shpreh i rezervuar të komentojë mbi autorët e këtij akti duke thënë se hetimet akoma nuk kanë përfunduar. Ai akuzoi pa adresë se dikush dëshiron të përsërise trazirat e marsit 2004.
 
Edhe këtë herë nuk munguan akuzat e kundër akuzat, pavarësisht se në një pikë pajtohen të gjithë, tensionet në veri shkaktohen nga strukturat paralele serbe. Ministri i Punëve të Brendshme akuzoi drejtpërsëdrejti homologun e tij serb Ivica Dacic, i cili me veprimet e fundit ka treguar se është pasardhës i Milloshevicit.
 
Nga ana tjetër deputetet e tri partive opozitare LDK, Vetëvendosje dhe AAK kritikuan qeverinë se nuk po është në gjendje të mbrojë jetën e qytetarëve në veri.

Lëvizja Vetëvendosje prezantoi një plan 13 pikësh për zgjidhjen e problemit në veri.

Kjo seancë është thirrur nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike ndërsa vjen si pasojë e tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.
 

Top Channel