Irak, sulme të koordinuara në disa qytete

19/04/2012 08:45

Një seri shpërthimesh të fuqishme kanë tronditur disa qytete irakene mëngjesin e së enjtes, duke vrarë të paktën 35 persona dhe duke plagosur qindra të tjerë.

Policia lokale njofton se shpërthimet janë regjistruar në kryeqytetin Bagdad, si dhe në Bakuba, Kirkuk, Samarra, Dibis dhe Taxhi.

Raportohet se forcat e sigurisë kanë qenë shënjestra e atentateve. Iraku ka parë një rënie të ndjeshme të dhunës në vitet e fundit, por vendi ende vuan nga sulmet me bomba që janë në rend të ditës.

Pesë shpërthime janë regjistruar vetëm në Bagdad, në lagje të ndryshme me shumicë shiite, ndërkohë që dy makina-bombë kanë shpërthyer në Kirkuk, dy të tjera në Samarra, një tjetër në Dibis, një në Taxhi, ndërsa në Bakuba një atentator vetëvrasës ka vrarë një agjent policie.

Korrespondenti i BBC në Bagdad, Rami Ruhayem deklaron se sulmet duket të kenë qenë të koordinuara. Ato ndodhën në një hark kohor prej një orë e gjysmë dhe përveç forcave të sigurisë, duket se kishin në shënjestër edhe autokolonën ku udhëtonte ministri i Shëndetësisë, që nuk ka pësuar lëndime.

Ndërsa zëdhënësi i komandës ushtarake të kryeqytetit, koloneli Dhia al Wakeel ka deklaruar se sulmet mbajnë firmën e Al Kaedës. “Ata duan të na dërgojnë një mesazh se mund të cënojnë stabilitetin që është arritur së fundmi. Por kjo nuk do t’i dekurajojë forcat tona të sigurisë”, ka thënë koloneli.

Gjithësesi, bëhet fjalë për ditën më të zezë në Irak që prej 20 marsit, kur gjatë një samiti të Ligës Arabe që po mbahej në Bagdad, sulme me armë zjarri dhe bomba u morën jetën 45 personave.

Top Channel