Në Kuvendin e Kosovës kanë vazhduar edhe të enjten debatet e ashpra mbi situatën në veri të Kosovës, me deputetët e opozitës që kanë kërkuar më shumë angazhim nga qeveria në këtë zonë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu ka kritikuar kryeministrin Hashim Thaçi për akuzat që ka bërë në drejtim lëvizjes, se po kërcënon një komunitet të tërë.

“Po flasim për atë pjesë të fjalimit të tij kur thotë se, ju drejtuat gishtin kundër një komuniteti. Vlerësoj se kjo pjesë është jashtëzakonisht e rrezikshme, sidomos kur kemi të bëjmë me një të pavërtetë. Kujt ia drejtojmë ne gishtin si Vetëvendosje është e kundërta e asaj që thotë qeveria”, ka deklaruar Aliu.

Sipas raportimeve të “RTK”, Aliu ka thënë gjithashtu se qeveria kosovare po bashkëjeton me strukturat paralele në veri, gjë që sipas tij po sjell ndarjen e vendit në baza etnike dhe po shkakton një seri incidentesh me sfond të tillë.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini është shprehur se nuk ishte opozita, por qeveria ajo që bëri thirrje për dërgimin e njësive policore në veri të vendit.

Në reagimin e tij, kryeministri Thaçi ka deklaruar se i kupton “ndjenjat emocionale” të ndonjë deputeti dhe ka nënvizuar se integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm, i njohur dhe i pranuar në rang ndërkombëtar.

Shefi i ekzekutivit ka kritikuar sërish opozitën për mungesën në seancën e djeshme, duke thënë se nuk kanë mundur të ballafaqohen me argumentet.

“Ishte tejet zhgënjyese kur ju e kërkuat kryeministrin, ai erdhi në Kuvend për debat dhe ballafaqim dhe ju menjëherë u larguat në mënyrë demonstrative, në mungesë të argumenteve. Kjo tregon se gjithë ato deklarata bombastike për veriun kanë qenë të motivuara politikisht”, është përgjigjur Thaçi.

Top Channel