Brigitte Bardot kundër Sarkozy

19/04/2012 17:45

Ethet e zgjedhjeve presidenciale kanë përfshirë gjithë Francën, aq sa së fundmi është futur në skenë edhe ikona e kinematografisë franceze, Brigitte Bardot.

Në një intervistë për mediat franceze, aktorja me famë botërore ka shprehur haptazi simpatinë e saj për kandidaten e ekstremit të djathtë, atë të Frontit Kombëtar, Marine Le Pen dhe zhgënjimin e shkaktuar nga presidenti aktual dhe kandidati për një tjetër mandate, Nicolas Sarkozy.

“Do të votoj Marine Le Pen. Kjo grua është ajo që i duhet Francës”, deklaroi Bardot.

Më tej aktorja, e njohur për mbështetjen e saj për Sarkozy në 2007 e për të djathtën në përgjithësi, shpjegoi edhe arsyet pse ishte zhgënjyer nga presidenti.

“Pendohem për votën e 2007, të cilën ia dhashë Sarkozy. Bëri dhe vazhdon të bëjë premtime që më pas nuk i mban e që nuk ka për t’i mbajtur kurrë”, tha Bardot duke shtuar se për kandidatin e socialistëve, Francois Hollande “as që donte të dëgjonte fare”.

Franca do të mbajë raundin e parë të zgjedhjeve më 22 prill, ku në garë janë tre kandidatë kryesorë, presidenti aktual Nicolas Sarkozy, kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen dhe kandidati socialist, Francois Hollande.

Me shumë gjasa procesi do të shkojë drejt balotazhit dhe raundi i dytë i zgjedhjeve, mes dy kandidatëve që do të sigurojnë përqindjet më të mëdha më 22 prill, do të mbahet më 6 maj.

Top Channel