Topi: Nuk kam shkelur Kushtetutën

19/04/2012 18:00

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndërsa ndodhet në Shkup për një vizitë zyrtare, i pyetur lidhur me akuzat e Kryeministrit Berisha për shkelje të kushtetutës, lidhur me propozimin për nënkryetarin e KLD-së, deklaroi se është tërësisht brenda ligjit dhe se nuk ka shkelur asnjë nen të kushtetutës.

”Ju bëtë një pyetje tjetër, të cilën unë e konsideroj një çështje shtëpi Megjithatë, për ta respektuar këtë moment unë e kam respektuar gjithmonë, që nuk dal jashtë vendit tim për të komentuar gjëra që ndodhin brenda nesh, por edhe për një arsye tjetër, që dominant i ditës së sotme është pikërisht vizita në Maqedoni dhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona, unë nuk dëshiroj të ndalem gjatë në këtë çështje”, deklaroi Topi, i pyetur nga një gazetar shqiptar.

”Megjithatë, nuk dua të lëndoj asnjë gazetar, i cili është në të drejtën e tij për të pyetur, kështu që duke iu respektuar për pyetjen, po ju jap vetëm atë pjesë të përgjigjes që ka të bëjë me ushtrimin e funksionit tim, që Presidenti i Republikës, në të gjithë veprimtarinë e tij, nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese. Do ta shikoja me vend që përgjigja ime të ishte e ezauruar në këtë pikë, duke lënë të hapur që çdo komunikim tjetër që mund të bëhet me ju, ta bëjmë kur të jemi në Shqipëri”.

Top Channel