Bayern Munchen, sherr Robben-Ribery

20/04/2012 16:15

Edhe pse të martën Bayern Munchen mposhti Real Madrid në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve, ka pasur tension në dhomat e zhveshjes mes futbollistëve të klubit bavarez.

Sipas gazetës ‘Bild’, yjet e ekipit gjerman Arjen Robben dhe Frank Ribery kanë debatuar ashpër mbi një goditje dënimi gjatë ndeshjes.

Sergio Ramos kreu një ndërhyrje të gabuar pak para përfundimit të pjesës së parë dhe të dy futbollistët filluan të diskutonin dhe të shtynin njëri-tjetrin për të marrë përsipër goditjen. Në fund ishte Toni Kroos ai që ekzekutoi, ndërsa lojtarët “grindavecë” u larguan nga kapiteni Philipp Lahm. Duke hyrë në dhomat e zhveshjes hollandezi me francezin u përqafuan duke mbyllur sherrin në pamje të parë.

Por ‘Bild’ publikon se paqja nuk është vënë ende sepse me të hyrë në dhomat e zhveshjes futbollistët debatuan sërish.

Nuk është hera e parë që futbollistët e Bayern Munchen “përplasen” për goditjet e dënimit. Para disa javësh Ribery dhe Kroos e hodhën me short goditjen e dënimit në një ndeshje të Bundesligës, ndërsa Robben e pa “spektaklin” i habitur pranë tyre.

Top Channel